E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa, angazhimi dhe abuzimi

• Rexhep Meidani

Gati 3 vjet më parë, menjëherë pas zgjedhjeve të korrikut 2005 dhe krijim të qeverisë së re, Shqipëria firmosi paraprakisht Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA-në). Por ka kaluar tashmë e gjithë kjo kohë dhe një marrëveshje e tillë nuk është ratifikuar ende nga të gjitha vendet e BE-së. Dhe kjo për shumë arsye të ndryshme, përfshi dhe ato teknike. Në të vërtetë, futja në veprim e kësaj marrëveshjeje kërkon ratifikimin prej strukturave legjislative të 27 vendeve anëtare dhe të vetë parlamentit shqiptar. Siç rezulton nga deklaratat e  ministres përkatëse, kohët e fundit, procesi i ratifikimit i MSA-së nga shtetet anëtare pritet të mbyllet në mes të vitit 2008, që përsëri duket si i vështirë për t’u realizuar. Ndërkohë në pritje të mbylljes së këtij ratifikimi të plotë ka hyrë në fuqi në dhjetor 2006 marrëveshja kalimtare, që lidhet me tregtinë me BE-në dhe aspekte të tjera të lidhura me të…
Por më shumë se për të evidentuar këtë vonesë vështirësisht të justifikueshme, në këto rreshta përmblidhet dhe një shqetësim tjetër. Ai lidhet, nga njëra anë, me euforinë dhe “sukseset” madhështore reformuese të pompuara çdo ditë, dhe nga ana tjetër, me angazhimin e zbehtë qeveritar, me paaftësinë e apatinë jo vetëm për ta mbyllur këtë proces nëpërmjet impenjimeve serioze dhe iniciativave realisht demokratike, por mbi të gjitha dhe për primitivizmin e stilit, për kaotizmin e vetë kulturën e qeverisjes...
Po të hidhet një sy prapa në kohë, në ditën e firmosjes së MSA-së dhe ato më pas, mund të rikthehen në pamje, pa dashje, gotat e shampanjës që po trokiteshin pa pushim, herë këtu dhe herë atje. Gati të krijohej përshtypja se kaq ishte e gjitha! Pra, vendin e punës e “spartanizmit” politik, të sakrificës dhe angazhimit serioz, të reformimit dhe të demokratizimit të domosdoshëm të pushtetit, në nivel qendror e vendor, po e zinte qejfi e ahengu, ndryshe e thënë elementë të qartë të hedonizmit. 
U deshën disa “këshilla” të forta të stigmatizuara në shprehjen: “Tani mbaroi festa dhe është koha e punës”, që ky proces hedonist të rridhte në një shtrat jo aq masiv, bile me tipare të qarta individuale. Por dhe si i tillë ai pasojën nuk e ka të vogël! Përkundrazi, ai kështu bëhet lehtësisht bashkudhëtar vonesash, veprimesh të pastudiuara, pse jo dhe abuzimesh politike-institucionale e administrative-financiare, mbulesë e korrupsionit politik-ekonomik.
Një MSA ende e paratifikuar plotësisht për Shqipërinë, për të bërë të mundur kërkesën për anëtarësim (që dhe Maqedonia e ka bërë zyrtare disa vite më parë), është një tregues i qartë për një “entuziazëm” minimal dhe për një kritikë maksimale ndaj këtij ekipi qeveritar. Dhe mbi të gjitha të drejtimit të tij me aq ngërç real, të mbushur me paaftësi e tepricë euforie…
* * *
E njëjta histori festive, disi më e tepruar, po përsëritet dhe këto ditë. Natyrisht që marrja e ftesës është një ngjarje me vlera të mëdha në rang kombëtar, por megjithatë është vetëm një pjesë e një procesi të plotë anëtarësimi në strukturat euro-atlantike e evropiane, të ëndërruar prej vitesh nga të gjithë shqiptarët. Edhe në këtë rast, këshilla nga jashtë (nëse nuk ka ardhur, shumë shpejt nuk do të mungojë), do të jetë për t’iu kthyer punës e angazhimit, ashtu siç ishte këshilla (e para disa ditëve) e mos shfrytëzimit të kësaj ftese në mënyrë politike, aq më keq në mënyrë partiake. Ajo duhej të mbetej një gëzim dhe pronë e qytetarëve shqiptarë! Po ashtu, me mjaft të drejtë, mund të pohohet se edhe puna që na pret pas marrjes së kësaj ftese dhe hapave të tjerë integrues është akoma më e madhe e serioze, shumë më e thellë, intensive e cilësore...
* * *
Por ka dhe një problem. Në fakt, ka dy probleme.
Së pari, integrimi në NATO nuk është thjesht një anëtarësim ushtarak, por mbi të gjitha një integrim politik-institucional në standarde të larta demokratike. Dhe ndërkohë në Shqipëri kanë marrë një goditje të qartë, jo demokratike, dy mekanizma bazë politik-institucionalë: ai i ndarjes së pushteteve dhe ai i kontroll-balancimit. Ndryshe nga ajo që ka ndodhur me mjaft zhurmë e tension në fillim, apo që vazhdon të realizohet në heshtje këto muajt e fundit, me prirjen antidemokratike të akumulimit të pushtetit në një dorë të vetme, aktualisht për të realizuar anëtarësimin dinjitoz kërkohet një përmbysje e madhe politike, konceptore e reformuese, për të ecur realisht përpara në proceset integruese. Por kjo nuk mund të arrihet as me mendësi komuniste, përqendruese-komanduese, as me mentalitete klanore, bajraktariste-primitive.
 Ekziston dhe një problem tjetër. Kjo është “bomba” e Gërdecit që kishte thyer xhama dhe shkaktuar dëme deri në Ulqin. Ky është abuzimi i egër, bile kriminal, me popullin e zonës së Gërdecit. Dhe ndërkohë të krijohet përshtypja, se pikërisht ai duket se po synohet të zbehet, me mënyra e mjete të ndryshme, me festa e manifestime, me deklarata bombastike, por dhe me kërcënime e propagandë shumëngjyrëshe. Dhe përpos të tjerave, po me të njëjtën papërgjegjshmëri, aktualisht edhe dëmi mjedisor kërkohet të minimizohet, sidomos rreziku shëndetësor tepër potencial, që mund të provokohet në një shtrirje të gjatë kohore, në vitet e dhjetëvjeçarët e ardhshëm...
 A do të arrihet vallë të zbehet, të shuhet dhe më tej të largohet vëmendja nga Gërdeci? Po të arrihet kjo, do të ishte sa fatale, po aq dhe lehtësisht e përsëritshme, realisht një gabim i madh kolektiv e individual! Ja vlen për këtë të reflektojë gjithsecili. Por dhe ata që kemi rrotull, që na vëzhgojnë e këshillojnë. Se për jetët njerëzore të humbura vëzhgimi e këshillimi i ftohtë është më shumë se i pavlerë. Madje, nuk është tepër po të pohohet se ngjarje të kësaj përmase duhet të nguliten thellë dhe të bëhen pjesë e ndërgjegjes sonë qytetare, jo vetëm për të mos harruar, por dhe për të reaguar e korrektuar... 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›