E Shtunë, 31 Tetor 2026

PR: Do votojmë kundër nismës së PS

• Partia Republikane shprehet se do të votojë kundër nismës së PS-së për ndryshimet kushtetuese. Përpara votimit të sotëm në Komisionin parlamentar të Ligjeve, kreu i grupit parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, theksoi se do të votojë kundër nismës së socialistëve për ndryshimin e Kushtetutës, e cila ka edhe bekimin paraprak të demokratëve.

BLEDAR HOTI

Edhe pse përfaqësues i maxhorancës qeverisëse, Madhi, konteston mos përcaktimin e saktë të sistemit proporcional, duke e cilësuar si mundësi abuzimi. "Ka dhe një propozim në parim dhe Kushtetuta ia delegon të drejtën që Kodi Zgjedhor të shprehë formën e sistemit që do të aplikohet në Shqipëri. Por kjo nuk është më një garanci, është një lloj liberalizimi dhe një mundësi më shumë për partitë e mëdha, cilatdo qofshin ato. Nesër këto parti, nëpërmjet instrumentit të tyre politik, do të detyrojnë ndryshime të herëpashershme të Kodit Zgjedhor në përputhje me interesat e tyre", tha Madhi. Anëtari i Komisionit parlamentar të Ligjeve, republikani Madhi, aludon se me këtë dy partitë e mëdha mund ta kenë më të lehtë që të votojnë për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, pasi kërkohen 84 vota. Ndërsa vlerëson se mund të ketë përsëri abuzime me formulat që do të përdoren për sistemin në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, Kushtetuta ka përcaktuar sistemin dhe modelin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe propozimi i PS-së tenton t'i largohet shprehjes së sistemit dhe modelit në Kushtetutë. "Ka edhe mënyra të tjera për të shmangur fenomenin e 'Dushkut' dhe nuk është propozimi i bërë nga Partia Socialiste e vetmja mënyrë për të shmangur këtë fenomen. Partia Republikane do të ofrojë çdo mundësi dhe çdo kompromis të bërë në emër të një konsensusi, i cili do të çlironte klimën politike në Shqipëri, për të cilën ne kemi shumë nevojë për të realizuar reforma të përbashkëta në dobi të shqiptarëve", deklaroi republikani Madhi. Ndërsa ka theksuar se, "PR-ja nuk e gjen vetveten as në parimet kushtetuese e as në përmbajtjen që do të mund të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, propozimi i bërë nga ana e partisë më të madhe opozitare në vend". Ai thekson se, "PS-ja me propozimin që paraqet me sistemin proporcional rajonal ka lënë të hapur 10 modele të tilla, çka lë vend sërish për abuzime nga 2 partitë e mëdha". Ndërsa kjo përplasje pritet të mos sjellë ndonjë prishje të qeverisjes mes republikanëve dhe demokratëve dhe pse aktualisht PR-ja përfaqësohet jo në rang ministri. "Mosgjetja e konsensusit për reformat në drejtësi apo sistemin elektoral nuk do të thotë që PR-ja nuk do të jetë më pjesë e qeverisjes, por këto reforma kërkojnë përkushtim të madh dhe konsensus të gjerë politik dhe nuk mund të lejojmë që ato të bëhen vetëm në bazë të interesave të vetëm dy partive politike", theksoi Madhi.

Votimi i cilësuar
Partitë e vogla shpresojnë që të bllokojnë votimin në Kuvend për ndryshimin e Kushtetutës. Për ndryshimet kushtetuese Parlamenti duhet të votojë me 94 vota pro. PS-PD synojnë të kalojnë këtë ndryshim dhe pse nuk i kanë të gjitha votat, por duke shpresuar në votat e aleatëve të tyre, si PSD-ja apo PR-ja. Ndërkohë që një mundësi tjetër ekziston që nëse ndryshimet miratohen, një pjesë e partive politike t'i drejtohen Gjykatës Kushtetutës për ta ankimuar. Ndërsa nuk përjashtohet dhe mundësia për kryerjen e një referendumi.

Propozimet për Kushtetutën
Nisma për ndryshimin e Kushtetutës e paraqitur nga ana e PS-së parashikon heqjen e pragut elektoral prej 2.5 për qind dhe vendosjen e sistemit proporcional rajonal. Në Kushtetutë ishte parashikuar që 100 deputetë do të zgjidhen me sistemin maxhoritar, ndërsa 40 të tjerët me proporcional. Tani socialistët kërkojnë sistem proporcional me lista shumëemërore, pa përcaktuar pragun, duke synuar sistemin proporcional rajonal. Kështu propozohet që 140 vendet e Parlamentit të ndahen mbi bazën e 12 qarqeve që ka vendi.

Starova: Të saktësohet sistemi
Për kreun e Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arjan Starova, "ky është vetëm një grup propozimesh për ndryshimin e Kushtetutës, në mënyrë që t'i hapet rruga hartimit të një ligji të ri zgjedhor". "Problemi është që në Kushtetutë të përfshihet ideja e ligjit proporcional zgjedhor. Lidhur me hollësitë sesi do të jetë ky ligj proporcional, rajonal i pastër apo me çfarë karakteristike tjetër, kjo mbetet për t'u parë. Në momentin e duhur, shumë shpejt do të kemi një reagim si liberaldemokratë", theksoi Starova.

Shtyhet seanca e Kuvendit
Për herë të dytë shtyhet seanca e Parlamentit, duke mos dhënë asnjë argument zyrtar. Seanca e së hënës u shty për shkak të koncertit që qeveria organizoi me rastin e marrjes së ftesës në NATO. Ndërkohë që seanca e parashikuar për të hënën u shty për ditën e martë. Por as dje Kuvendi nuk u mblodh, duke nxjerrë vetëm njoftimin se seanca e parashikuar për ditën e djeshme nuk do të zhvillohej pa dhënë ndonjë njoftim konkret. Ndërsa është parashikuar se kalendari i së martës të kalojë për seancën e së enjtes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›