E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet inflacioni

• ANASTAS ANGJELI

Debatet e zhvilluara dhe paralajmërimet e dhëna në fundvitin e kaluar, se inflacioni mund të shndërrohej në kërcënim për situatën makroekonomike dhe me pasoja për nivelin e jetesës së konsumatorëve, me sa duket po shndërrohen në realitet. “Kriza e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore”, që nisi nga fillimi i 6-mujorit të dytë të vitit 2007, nuk po e ndal vrapin e saj. Kësaj po t’i shtojmë edhe vazhdimin e rritjes së çmimit të naftës  në tregjet ndërkombëtare dhe “reagimin apatik” të ekonomisë sonë ndaj këtyre fenomeneve, duket qartë se jemi përballë një paralajmërimi që po dëshmohet nga tejkalimi i kufijve të parashikuar të nivelit të inflacionit. Në qoftë se kjo situatë nuk na tërheq vëmendjen tani, shumë shpejt mund të shndërrohet me pasoja më të rënda.
Cila është situata?
Një pasqyrë të qartë të situatës së inflacionit për tremujorin e parë të këtij viti na e jep vetë INSTAT, në buletin e muajit mars 2008, "Indeksi i çmimeve të konsumit". Sipas këtij buletini të bërë publik dy ditë më parë, inflacioni (i deklaruar) në fund të tremujorit të parë të vitit 2008 arriti shifrën 4.6%, duke shënuar një rritje prej 1.9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (3M - parë 2008 / 3M - parë 2007). Në këtë situatë, po sipas të njëjtit buletin të INSTAT-it, kanë ndikuar kryesisht "... Indeksi i grupit "Ushqime dhe pije jo alkoolike" shënoi një rritje prej 0.7 për qind, me një ndikim prej 0.3 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi rritja më e madhe prej 4.8 për qind vërehet në nëngrupin "fruta". Këtu mund të përmendim rritjet e çmimeve të kivit me 16.9 për qind, mollëve me 5.4 për qind, portokalleve me 4.4 për qind dhe bananeve me 3.7 për qind.
Indeksi i nëngrupit "zarzavate përfshirë patatet" shënoi një rritje prej 1.0 për qind, ku mund të përmendim rritjet e çmimit të lulelakrës me 31.4 për qind, lakrës me 24.6 për qind, domateve me 10.5 për qind etj.
Gjatë muajit mars çmimet janë rritur edhe në disa nëngrupe të tjera të këtij grupi, ku mund të përmendim rritjet në nëngrupet, "vajra dhe yndyrna" me 0.5 për qind, "bukë e drithëra" me 0.5 për qind, "peshk" me 1.2 për qind.
Indeksi i grupit "Qira, ujë, lënde djegëse dhe energji" shënoi një rritje prej 3.8 për qind, duke pasur një ndikim prej 0.6 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Çmimi i energjisë elektrike në muajin mars 2008 shënoi një rritje prej 23.7 për qind.
Indeksi i grupit "Transport" shënoi një rritje prej 0.8 për qind, duke pasur një ndikim prej 0.05 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit mars çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.4 për qind dhe çmimi i benzinës u rrit me 0.5 për qind".
Ashtu si edhe në fundvitin e kaluar, INSTAT paraqet si faktor kryesor të kësaj rritje, kryesisht, faktorin e rritjes së çmimeve të produkteve bujqësore dhe ushqimore në tregjet ndërkombëtare dhe rritjen e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare. Për hir të së vërtetës duhet pranuar se këta faktorë vazhdojnë të jenë dhe të rrisin ndikimin e presioneve inflacioniste mbi ekonominë tonë, por...
FAKTORET
Por, ato që janë të pathëna dhe për të cilat duhet të reagohet (nuk ka pse t'i fshehim) janë disa fenomene, të cilat mund t'i rrisin më tej presionet inflacioniste në ekonomi, dhe nga një fenomen, për momentin ende disi i kontrolluar, inflacioni mund të shndërrohet me rrezik në rritje dhe pasoja më të mëdha. Më konkretisht:
Së pari, efekti i rritjes së inflacionit për shkak të rritjes së çmimit ndërkombëtar të energjisë (efekti i jashtëm) është real (por edhe këtu ka mënyra dhe politika që duhen ndërmarrë për ta minimizuar këtë efekt, të cilat megjithëse të rekomanduara disa herë, ato kanë rënë në "vesh të shurdhër"). Për sa i përket argumentit se në rritjen e inflacionit ka ndikuar dhe rritja e çmimit të energjisë së brendshme (faktori energjetik i brendshëm), kjo nuk qëndron. Kjo, sepse rritja e çmimit të energjisë u bë jo që prej 1 janarit 2008, por në mes të tremujorit dhe efektet e saj për këtë periudhë janë të pjesshme, kështu që ky faktor pritet të japë efektin e plotë në tremujorin e ardhshëm dhe në vazhdim, gjatë gjithë vitit 2008. Pra, si rrjedhojë e ndikimit të këtij faktori, inflacioni pritet të rritet edhe më tepër gjatë periudhës në vazhdim.
Së dyti, rritja e çmimeve të produkteve bujqësore dhe ushqimore në tregun ndërkombëtar vazhdon dhe do të vazhdojë të rrisë presionet inflacioniste gjatë vitit 2008. Ajo që "nga një zile alarmi" e dhënë në vitin e kaluar për këtë çështje po shndërrohet në shqetësim dhe rrezik për ekonominë dhe konsumatorët, është fakti që tregu i brendshëm i mallrave bujqësore dhe ushqimore po mbizotërohet gjithnjë e më shumë nga produktet e importit. Kështu, edhe në tremujorin e parë të këtij viti deficiti tregtar nuk e ndali prirjen e tij në rritje. Kjo dëshmon se ka një frenim të zhvillimit ekonomik, të prodhimit vendas (atij me traditë etj.), paqartësi dhe zbatim jo efektiv të politikave ekonomike, fiskale dhe të nxitjes së eksporteve, ngushtim të hapësirave të lirisë ekonomike të zhvillimit të biznesit privat (nxitjen e SME-ve, agro-biznesit etj.), mosarritje të standardeve për t'i bërë produktet tona konkurruese në tregjet rajonale etj., situatë kjo që po kalon nga faza e konfuzionit në atë të tronditjes, në këta sektorë.
Së treti, po të mbajmë parasysh se në buxhetin e shtetit të këtij viti, rritja e shpenzimeve është parashikuar jashtë mundësive, duke u përballuar me një deficit të parashikuar  në rritje, që duhet të arrijë 7.9%, si dhe deklaratën paralajmëruese të ministrit Bode, se shpenzimet e parashikuara për investime në tremujorin e parë nuk u realizuan, atëherë presionet në rritjen e inflacionit në periudhat e ardhshme të këtij viti, priten të jenë edhe më të mëdha. Kjo, sepse periudha e mbetur (9-mujori në vazhdim i këtij viti) do të jetë më i ngarkuar me shpenzime buxhetore, sidomos për investime, çka do të rrisin më tej ndikimin e faktorit të brendshëm, në presionet inflacioniste. Çështja e rritjes së deficitit buxhetor gjatë këtij viti dhe mundësitë potenciale për ndikime jo pozitive të tij në inflacion dhe në përgjithësi në stabilitetin makroekonomik, besoj se ka qenë edhe një nga shkaqet (krahas reformave të vonuara në sektorin energjetik), që FMN-ja për herë të parë firmosi gati tre muaj me vonesë Memorandumin e Mirëkuptimit me Qeverinë për këtë vit.
Këto janë mesazhe e sinjale të qarta për parjen me realitet të situatës makroekonomike dhe të vazhdimit të zbatimit të reformave ekonomike, atyre strukturore, për menaxhim më të mirë të shpenzimeve publike në veçanti dhe të financave publike në përgjithësi, larg efurisë populiste për to.
PASOJAT
-Në aspektin makroekonomik, rritja e inflacionit përtej kufirit të parashikuar 4.6%, nga 3% që është ky kufi, i lidhur ngushtë me rritjen e deficitit buxhetor (7.9% i parashikuar për këtë vit, nëse realizohet) dhe me rritjen në vazhdim të deficitit të bilancit të pagesave me jashtë, që është një paralajmërim, një "zile tjetër alarmi" që duhet vlerësuar për vazhdimin e mbajtjes në kontroll të stabilitetit makroekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në vend (për herë të parë gjatë këtyre 10 viteve, që nga viti 1998 kemi një deformim të situatës makroekonomike, kryesisht të raporteve të inflacionit dhe deficitit të pritshëm buxhetor). Po të shtojmë këtu edhe efektet në shkëmbimet tregtare si rrjedhojë e ndikimeve të kurseve të këmbimit të lekut me monedhat e tjera (Dollarë US, Euro) implikimet rriten. (Kjo sepse një pjesë të efekteve, sidomos të rritjes së çmimit të energjisë, janë përballuar edhe si rrjedhojë e kurseve të favorshme Lekë/Dollarë US, pasi nafta në bursë kuptohet në Dollarë US etj.).
-Në aspektin social, rritja e shfaqur e deklaruar e inflacionit, (përveç atij të padeklaruarit) me 1.9%, më shumë në 3-mujorin e parë të këtij viti, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rëndon drejtpërsëdrejti në "xhepat e konsumatorëve", veçanërisht të atyre me të ardhura të pakta, (moshës së tretë, pensionistëve, punonjësve me paga të ulëta etj.), në uljen e mëtejshme të nivelit të tyre të jetesës. Kjo, sepse shtresat e mësipërme të popullsisë dhe jo vetëm ato, por të gjithë me të njëjtën sasi parash do të blejnë dhe do të konsumojnë më pak mallra të konsumit (mallra ushqimore, produkte bujqësore, shërbime të ndryshme etj.). Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, kur brenda një periudhe 6-mujore, çmimet e produkteve të tilla si mielli, buka, vaji, orizi, sheqeri, produktet bujqësore etj., kanë shënuar një rritje që varion nga 25% në 100%.
 Masat për minimizimin
e pasojave.
Siç e theksova më sipër, në këtë stad, fenomeni është ende disi i kontrolluar. Natyrisht, në qoftë se nuk i kushtohet vëmendja e duhur dhe nuk merren masa, padyshim që kërcënimi shndërrohet në rrezik dhe pasojat që treguam rriten. Më konkretisht, tabloja e paraqitur kërkon:
Së pari, shtimin e kujdesit dhe rritjen e përgjegjësisë (për të mënjanuar maksimalisht presionet dhe ndikimet elektorale në menaxhimin e shpenzimeve publike sipas filozofisë "për ta lënë litarin zvarrë") nga institucionet përgjegjëse për vazhdimin e ruajtjes së kontrollit mbi treguesit makroekonomikë të zhvillimit të vendit (Qeveria, përmes Ministrisë së Financave dhe Banka e Shqipërisë). Kjo, nga njëra anë përmes shpërndarjes në kohë të realizimit të shpenzimeve për investime (gjatë vitit) dhe nga ana tjetër, përmes moslejimit të tejkalimit të kufirit të deficitit buxhetor të parashikuar (për më tepër që edhe kufiri i parashikuar 7.9% është jo realist dhe më me risk).
Së dyti, ndjekja më e kujdesshme dhe reagimi (me politika konkrete afatshkurtra dhe afatgjata e strategjike) në kohë ndaj konjukturës së çmimeve botërore të produkteve bujqësore dhe ushqimore e atyre të energjisë dhe ndikimeve e implikimeve të tyre në ekonominë tonë.
Së treti, marrja e masave konkrete dhe efektive për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës së nevojshme për garantimin e tregut për prodhuesit vendas të produkteve agro-ushqimore, veçanërisht në sezonin e tanishëm (pranverë dhe verë) për të rritur ofertën e tyre në treg e për të ndikuar sadopak në uljen e nivelit të çmimeve me pakicë të tyre.
Së katërti, hartimi dhe zbatimi i politikave ekonomike, bujqësore, fiskale e tregtare më nxitëse për prodhimet agro-ushqimore të traditës në vendin tonë dhe për eksport (pasi me sa duket, sipas rezultateve, këto që po zbatohen nuk po japin efektin e duhur) duke siguruar standardet, cilësinë e kërkesave të një tregu të liberalizuar, por duke konsideruar dhe avantazhet krahasuese dhe ndikimin në bilancin e pagesave me jashtë.
Së pesti, vazhdimin e reformave të ekonomisë së tregut në vendin tonë në përgjithësi, dhe në veçanti ato që lidhen me çështjen në fjalë (reformat strukturore dhe të privatizimit, në sektorin energjetik, nxitjen dhe zgjerimin e lirisë ekonomike për SME-të në sektorin agro-ushqimorë, por edhe në sektorët e tjerë, politikat fiskale dhe nxitjen e eksporteve dhe të investimeve të huaja direkte etj.).
Së gjashti, marrjen dhe zbatimin e disa masave të kompensimit financiar për shtresat më në nevojë, pensionistë, invalidë, etj., dhe me të ardhura të pakta (të cilat u premtuan në fundvitin e kaluar nga Kryeministri Berisha me rastin e debatit për rritjen e çmimit të bukës dhe të disa produkteve ushqimore, si dhe të rritjes së çmimit të energjisë, por nuk u bënë realitet).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›