E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Rama-Berisha po përgatisin shkatërrimin e zgjedhjeve

• Kreu i LSI-së Ilir Meta, e konsideroi reformën zgjedhore që po përgatit PS dhe PD, si një rrëshqitje drejt humnerës së zgjedhjeve të ardhshme.

Meta u shpreh i gatshëm të respektojë çdo përpjekje për të gjetur zgjidhje brenda të majtës. “Ne jemi të gatshëm të respektojmë çdo iniciativë, e cila vërtetë mund të ndihmojë në shmangien e kësaj rrëshqitjeje kritike, që ka sjellë reforma zgjedhore drejt një humnere aspak të mirëpritur për demokracinë shqiptare, shumë të rrezikshme, ku synojnë ta fusin me kokëfortësi dhe me vetëdije të plotë lidershipet përkatës të dy partive të vjetra PD dhe PS”, tha Meta dje në një konferencë për shtyp. Sipas tij, “vendosmëria e PD dhe PS është historike dhe nuk ndalet as nga protestat për zbardhjen e krizës dhe tragjedisë së Gërdecit”. Meta u shpreh i gatshëm të përkrahë iniciativën e kreut të PDS-së Milo, për thirrjen urgjente të një tryeze të së majtës. “Nëse zoti Milo do t’i shkojë deri në fund kësaj iniciative dhe ai shpreson se mund të ketë një rezultat pozitiv, LSI do ketë përfaqësuesin e saj, pasi ne nuk bojkotojmë asnjë iniciativë që vjen jo vetëm nga një përfaqësues i politikës shqiptare dhe opozitare, të cilin ne e respektojmë si zoti Milo, por edhe po të vinte nga një forcë e djathtë, çdo iniciativë që synon të shmangë shkatërrimin e zgjedhjeve që po përgatit Rama-Berisha, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, pasi bëhet fjalë për zgjedhjet e shqiptarëve, bëhet fjalë për votën e tyre”, tha kreu i LSI-së. Dje pasdite, kreu i LSI-së Ilir Meta, zhvilloi një takim në Shkodër me të rinj të këtij qyteti. Duke folur për problemet e rinisë shqiptare, Meta tha se “duhet të bashkohemi të gjithë LSI dhe LRI, që të kapim brenda një viti standardet e vendeve të BE-së dhe kjo është një betejë për vitin e ardhshëm”. “Unë ju jap fjalën se do të fitojmë bashkë dhe do të drejtojmë bashkë. Ne do të dalim të parët në zgjedhjet e ardhshme dhe do të nxjerrim njëherë e përgjithmonë Shqipërinë nga tranzicioni i tmerrshëm prej 17 vitesh”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›