E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Garantoj opozitën për reformat”

• Kryeministri Sali Berisha i ka bërë sërish thirrje opozitës për të bashkëpunuar me maxhorancën për kryerjen e reformave, me qëllim anëtarësimin e plotë në NATO dhe integrimin në BE.

ADI SHKEMBI

Duke folur në mbledhjen e qeverisë, e para që pas Samitit të Bukureshtit kreu i qeverisë, ka garantuar se opozitën se maxhoranca do të jetë e hapur për të bashkëpunuar për të miratuar çdo reformë lidhur me këto dy projekte. “Qeveria dhe opozita, pavarësisht nga numri i votave që ka dhe mund të kenë në të ardhmen, nuk duhet të mendojnë kurrë të ecin të ndara në këto dy projekte të mëdha, që janë mishërimi i ëndrrave më sublime të shqiptarëve. Në këtë kontekst, dua të shfrytëzoj rastin për të garantuar opozitën se maxhoranca do të jetë plotësisht e hapur për të punuar bashkërisht në këto projekte”, theksoi kryeministri. Sipas tij “Në rast se ftesa ishte një moment i besimit më të madh që është vendosur mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në shekuj me radhë, njëkohësisht është edhe përgjegjësia më e lartë për ne. Përgjegjësi së cilës ne duhet t’i përgjigjemi në mënyrë të gjithanshme së pari, me klimën politike dhe kulturën e NATO-s. Bashkëpunimi me opozitën ka pasur një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në marrjen e ftesës”. Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë ka vlerësuar edhe punën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu lidhur me reformimin e Forcave të Armatosura. Duke folur për kontributin e këtyre forcave në operacionet jashtë vendit nën flamurin e NATO-s, kreu i qeverisë është shprehur i sigurt, edhe për rolin që do të luajë ministri i ri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa për reformimin e tyre. “Dua të theksoj se përkushtimi i ministrit Mediu, që dha dorëheqjen e sot zëvendësohet në këtë detyrë nga ministri Oketa, ka qenë i një rëndësie parësore për afrimin e këtyre Forcave me standardet e NATO-s. Unë kam shumë besim se, nën drejtimin e zotit Oketa, Forcat tona të Armatosura do të arrijnë standarde të reja të domosdoshme për një vend anëtar. NATO është aleancë politike dhe ushtarake”, vijoi më tej Kryeministri Berisha. Sipas tij marrja e ftesës për t’u anëtarësuar në NATO vjen pas progresit real të qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe reformave ekonomike.

Reformat
Sipas Kryeministrit Berisha, rol të rëndësishëm në marrjen e ftesës kanë pasur reformat e ndërmarra nga qeveria. “Ftesa do të ishte e pamundur në rast se, nuk do të ndërmerrej lufta e vendosur kundër korrupsionit dhe nuk do të regjistroheshin rezultate të qarta dhe ndër më spektakolaret në këtë luftë. Kjo nuk do të thotë se korrupsioni është çrrënjosur. Përkundrazi lufta kundër tij duhet të forcohet”, theksoi Berisha.

diplomacia
Berisha vuri në dukje edhe kontributin e diplomacisë në paraqitjen e progresit të vendit. “Diplomacia shqiptare ka qenë më aktive se kurrë në këtë proces, ndaj dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë të diplomacisë shqiptare, drejtuesve dhe punonjësve të këtij dikasteri për punën që kanë bërë”, theksoi Kryeministri Berisha, në mbledhjen e djeshme të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›