E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundi i tranzicionit?

• Eduard Zaloshnja

Ditët e fundit, jo pak politikanë kanë përdorur shprehjen “Me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, tranziconi i Shqipërisë nga diktaturë ...në demokraci të qëndrueshme mori fund”. Kjo tregon se politikanët që i thonë këto fjalë kanë njohuri të pakta nga fusha e shkencave politike. Sepse një aksiomë e gjithëpranuar nga shkencëtarët e kësaj fushe na tregon se fundi i tranzicionit nga diktatura në demokraci të qëndrueshme shënohet nga një ngjarje që akoma nuk ka ndodhur në Shqipëri - transferimi i pushtetit dy herë radhazi në mënyrë paqësore, nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme. Në fakt, ajo që do kishte vërtet kuptim të përdorej këto ditë në të njëjtën fjali me fjalën “fund” do ishte fjala “Jaltë”.  Pikërisht siç e përdori presidenti amerikan në fjalimin e tij në Bukuresht. Dhe ta do mendja, siç e përdorin të gjithë ata shqiptarë që janë koshientë se vendimi që u mor në Jaltë për ta lënë Shqipërinë nën sferën ruse pas Luftës së Dytë Botërore, hapi rrugën që kryeministër te ne të bëhej Enver Hoxha e jo Mit’hat Frashëri apo Abaz Kupi. Falë atij vendimi, mijëra shqiptarë përfunduan burgjeve e internimeve, ose në arrati, dhe Shqipëria u bë një vend që 45 vjet më pas do i duhej t’i dërgonte bijtë dhe bijat e saj të mblidhnin ullinj e portokalle në Greqi - vendin që Jalta e la në sferën anglo-saksone...
Por le të kthehemi përsëri te tranzicioni. Ftesa për anëtarësim në NATO, ndërkohë që nuk është fundi i tranzicionit të vështirë shqiptar, shënon sidoqoftë fillimin e fundit të tij. Kjo, sepse një nga kushtet më shtrënguese që i është vënë Shqipërisë nga NATO për materializimin e ftesës vitin tjetër me anëtarësim është kryerja më së fundi e zgjedhjeve parlamentare të certifikuara si të lira e të ndershme. Ky kusht do e bëjë qeverinë që, me hir a me pahir, të realizojë të shumëpriturin regjistër elektronik të votuesve dhe kartat e pafalsifikueshme të identitetit para zgjedhjeve të 2009-ës. Ky kusht gjithashtu do detyrojë opozitën që të japë konsensusin për një reformë të infrastrukturës dhe sistemit zgjedhor, të tillë që të garantojë numërimin e saktë e të ndershëm të votave dhe krijimin e një Kuvendi sa më përfaqësues të preferencave të shqiptarëve. Kjo, sepse ne jemi një vend ku mbi 95% e popullsisë e ka pritur anëtarësimin në NATO me padurim.
Brenda 95-përqindëshit që i gëzohet anëtarësimit në NATO, mund të gjesh njerëz që e duan atë për arsye e shpresa nga më të ndryshmet - disa edhe irracionale, si për shembull shpresa se do lehtësohet dhënia e vizave - por kjo ka pak rëndësi për argumentin e mësipërm. E rëndësishme është se secili nga kampet politike do ketë kosto të lartë në bursën e opinionit publik shqiptar në qoftë se do bëjë gjëra që do konsiderohen nga NATO si pengesa për plotësimin e kushteve të anëtarësimit.
Duke presupozuar se, falë presionit të NATO-s, zgjedhjet e 2009-ës do zhvillohen të lira e të ndershme, pyetja që mbetet është nëse do plotësohet kushti i aksiomës së cituar në fillim të këtij shkrimi. Pra, mbetet të shihet nëse do transferohet pushteti nga e djathta tek e majta në mënyrë paqësore, ashtu siç ndodhi e anasjellta në vitin 2009. Kuptohet që Berisha, udhëheqësi i të djathtës, nuk do dojë që të lërë pushtetin për hir të një aksiome politike rreth tranzicionit nga diktatura në demokraci të qëndrueshme. Në fakt, është e drejtë e tij që të luftojë me mish e me shpirt për t’i fituar zgjedhjet. Por ndërkohë, është detyrë e tij që ta përdorë pushtetin aktual për të siguruar zgjedhje të ndershme e të lira, dhe jo për të kundërtën. Gjithashtu, është detyrë e tij që të pranojë me dinjitet humbjen, në qoftë se sovrani popull vendos që e djathta të kalojë në opozitë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›