Festa e 8 marsit, Topalli: Ky është shekulli i grave
Tashmë një traditë, 7-8 Marsi i ka gjetur dyert e Kuvendit të Shqipërisë të hapura për mësuese, shkrimtare, artiste, biznesmene, nëna e gra nga Tirana, por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë. Teksa kanë ngjitur shkallët e Kuvendit, miket e veçanta të kësaj dite, u ndalën në komisionet parlamentare, në sallat e mbledhjeve, në mjediset ku çdo ditë debatohet e bëhen ligje. Në një mënyrë simbolike secila prej grave u bë pjesë e Kuvendit, që është shtëpia e të gjithëve. Mikpritësja, Kryetarja e Kuvendit u uroi mbarësi e sukses në jetë, të gjithë vajzave, motrave dhe nënave, atyre që Zoti u ka dhënë madhështinë e amësisë, sepse nuk ka gjë më të shtrenjtë në këtë botë se nënat. "Ky është shekulli grave, gratë nuk dorëzohen kurrë!", tha Topalli përpara grave prezente. Në bisedat me të ftuarat Kryetarja e Kuvendit ndau me to gëzimin, por edhe shqetësimet e përditshme, duke i inkurajuar fort për të mos u dorëzuar kurrë e për t'i shndërruar historitë e tyre në histori suksesi. Sallat e Kuvendit, të cilat e përditshmja i gjen të mbushura me debate, sot u shndërruan në salla ku tingujt e muzikës dhe zërat e mrekullueshëm të artisteve zëvendësuan për disa orë, diskutimet politike dhe mbushën atmosferën me pozitivitet. Të premten, kryeparlamentarja zhvilloi një takim të hapur me arsimtaret jo vetëm të Tiranës, por edhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë. "Mirënjohje në jetë të jetëve, mësuesve për gjithçka që keni dhënë këtij kombi, për gjithë mençurinë që keni përcjellë, për gjithë dashurinë që na keni dhënë dhe për gjithçka që ju vazhdoni të jepni", tha sot Kryetarja e Kuvendit në takimin emocionues me mësuesit, që mbushën mjediset e Kuvendit të Shqipërisë, në prag të 7 Marsit", tha Topalli. Duke uruar nga zemra mësuesit e ftuar nga shkollat e Tiranës, por edhe të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit përcolli një urim të veçantë për mësuesit e saj, disa prej të cilëve kishin ardhur nga Shkodra në këtë takim, shenjë e mirënjohjes, respektit për të gjithë mësuesit. "Ne, kur kemi qenë fëmijë, e më pas nxënës, e më tej studentë, kurrë s'kemi dashur t'ju zhgënjejmë ju, mësuesve dhe prindërit tanë. Ne sot, duke qenë në këto pozicione, premtojmë sërish se nuk do t'ju zhgënjejmë.
Për gjithçka që keni dhënë këtij kombi, për gjithë mençurinë që keni përcjellë, për gjithë dashurinë që na keni dhënë dhe për gjithçka që ju vazhdoni të jepni. Ne, të gjithë ne, ju jemi mirënjohës në jetë të jetëve. Dhe së fundmi dua t'ju them diçka që kurrë s'ua kam thënë, juve mësuesve të mi. Pavarësisht rrethanave, ju kurrë s'më keni diferencuar. Unë ju falënderoj pafundësisht për këtë", deklaroi Topalli.