E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD bën sot analizën vjetore të Gjyqësorit



TIRANE - Përfundimi i analizave të punës, gjatë vitit 2009 me gjykatat e Faktit dhe Apelit në vend, pritet të diskutohet gjatë paradites së sotme gjatë një aktiviteti që do të organizojë KLD enkas për këtë qëllim. Burime zyrtare të KLD-së pohuan dje se: "Ditën e hënë, 8 mars 2010, në Tirana Internacional Hotel, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën kujdesin dhe pjesëmarrjen e Presidentit të Republikës, do të organizojë aktivitetin me temë: "Reflektimi mbi problematikat gjyqësore që rezultuan nga analizat e veprimtarisë së gjykatave, gjatë vitit 2009". Gjatë muajit shkurt, në të gjitha gjykatat e Faktit dhe Apelit në vend, u zhvilluan analizat njëvjeçare të punës, konkluzionet e të cilave priten që të diskutohen gjatë paradites së sotme. Në analizat e kryera nëpër institucione, në të cilat mori pjesë nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu në mjaft raste dolën në pah problematika të shumta, ashtu sikurse edhe arritje në raste të tjera. Gjatë analizave nëpër gjykata të ndryshme, KLD-ja ka bërë mjaft vërejtje kur ka vërejtur se problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve kanë ardhur për shkaqe që mund të zgjidhen nga vetë togat e zeza. Kryesisht gjyqtarët shqiptarë kanë theksuar gjatë analizave, problemin e zvarritjes së proceseve që vijnë nga shkaqe të shumta, por më kryesori është ngarkesa e punës dhe mungesa e kushteve. Kjo është arsyeja që pak kohë më parë, kreu i Shtetit vendosi që të shtojë numrin e togave të zeza nëpër gjykatat e rretheve që kanë ngarkesë të madhe pune. Po kështu, KLD më parë është shprehur se rreth 100 gjyqtarë pritet që të transferohen nëpër rrethe të ndryshme për shkak të "familjaritetit" që kanë krijuar në institucionet ku aktualisht kryejnë detyrën, ndërkohë që të tjerë do të transferohen për mbarëvajtjen e punëve. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›