Festa e Ashures, krerët e politikës urojnë bektashinjtë
Mbarë bota bektashiane kremtoi dje Festën e Ashures që simbolizon përkujtimin e vuajtjeve, sakrificave të profetëve dhe luftëtarëve të “Qerbelasë”, kryesuar nga prijësi i tyre, Imam Yseni. Kryegjyshi botëror, haxhi baba Edmond Brahimaj, ka uruar mbarë bektashinjtë në botë për Ditën e Ashures. Ashurja, gatimi profetik që i ka dhënë emrin festës ka qenë ëmbëlsira e ditës. Enkas për këtë ditë, Kryegjyshata Bektashiane ka përgatitur 30 kv ashure, të cilat të hedhura në qindra gota u janë shërbyer çdo besimtari, zyrtari të lartë që ka hyrë në Kryegjyshatë për të uruar festën. Si çdo vit edhe në këtë ditë nuk kanë munguar urimet e krerëve të shtetit, politikës dhe diplomatëve të huaj. Pas vizitave në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, politikanët kanë bërë edhe urimet përkatëse. Kreu i shtetit, Bamir Topi deklaroi se simbolika e kësaj feste është komunikimi për të qenë të gjithë bashkë në jetë. “Festa e Ashures ka një kuptim shumë interesant. Ju e dini që baza ashures është gruri, është ai që përbën elementin themelor të jetës së njeriut, pra atë po diskutonim edhe me Baba Mondin për këtë filozofi kaq të bukur të islamit që, në thelbin e vet ka atë që iu shërben të gjithë njerëzve: ka mirëkuptim, dhënien e ndihmës, komunikim dhe për të qenë të gjithë bashkë në një jetë, e cila na ka sjellë të gjithëve së bashku në këtë botë”. Po kështu edhe kryeministri Berisha i ka uruar besimtarët bektashinj me rastin e Festës së Ashures. Në urimin e tij, kryeministri Berisha u shpreh: “Dita e Ashures është një rast shumë i veçantë për t’u përcjellë urimet më të përzemërta, nderimin më të thellë, bektashinjve shqiptarë dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, këtë ditë, të cilën mund ta konsiderojmë një ditë të mrekullive të mëdha në jetën shpirtërore të botës islamike, por edhe një ditë universale të Zotit”. Edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i uroi të gjithë besimtarët bektashinj për paqe, gëzim dhe begati. Ndërsa deputeti socialist, Blendi Klosi në urimin e tij tha se “është një ditë që dëshmon që jo vetëm komuniteti bektashi, por të gjitha komunitetet shqiptare dhe i gjithë kombi shqiptar kanë shumë më tepër nevojë për ëmbëlsi në jetën e tyre”.