Ndryshimet klimaterike, vendi rrezikohet nga përmbytjet dhe thatësira
Pasojat e fenomenit global të paqëndrueshmërisë së klimës kanë përfshirë edhe Shqipërinë. Përmbytjet, Mediu: Shmangia totale kërkon investime në vazhdim
Natyra do t’i sfidojë edhe më shumë njerëzit gjatë viteve në vazhdim, ku parashikohet që për shkak të ndryshimeve klimaterike moti të bëhet gjithnjë e më ekstrem. Kështu, parashikohet që deri në vitin 2050, rreth 60 000 njerëz të preken drejtpërdrejt nga pasojat e shkaktuara nga efektet e ndryshimeve klimaterike, ndërkohë që në vitin 2100 numri mund të shkojë në mbi 100 000 vetë. Sipas ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu, reshjet e mëdha në dy sezone vitin e kaluar dhe që shkaktuan përmbytje në zonën e Shkodrës, por edhe thatësira e tejzgjatur këtë vit, janë dy shembuj të prekjes nga ndryshimet klimatike që kanë prekur tashmë edhe vendin tonë. Duke marrë shkas nga ndryshimet klimaterike që tashmë janë shndërruar në një shqetësim global për të gjitha vendet e botës, Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me fondacionin gjerman “Konrad Adenhauer” ka organizuar një takim të përbashkët, ku ekspertët shqiptarë dhe ata gjermanë diskutuan mbi këtë çështje si dhe efektet e tyre në vend, por edhe masat për përballimin e tyre. Për këtë, ai bëri të ditur se në bashkëpunim me qeverinë gjermane vendi ynë do të ketë një strategji kombëtare në këtë drejtim që do të koordinohet edhe në planin rajonal dhe më tej në të gjithë kuadrin e Bashkimit Europian. Për shmangien e përmbytjeve në Shkodër, ministri Mediu tha se janë investuar 10 milionë dollarë nga buxheti i qeverisë, si dhe mbështetje nga Banka Botërore, por që ngjarje të tilla të mos përsëriten më duhen investime në vazhdim. “Janë tre faza me të cilat po merremi. Ndërhyrjet e emergjencës, ndërhyrjet afatmesme dhe ndërhyrjet perspektive. Kjo është bërë në bashkëpunim të plotë me qeverinë e Malit të Zi. Investimet janë solide në këtë pikëpamje që minimizojnë efektet e përmbytjes, por shmangja totale e përmbytjes kërkon investime në vazhdim. Faza e dytë do të jetë thellimi i Bunës në gjysmën e sipërme të saj për t’i sjellë në të njëjtin nivel ujëmbajtës të dy pjesët, masa të tjera në perspektivë për të gjithë basenin ujëmbledhës të Shkodrës, përfshi Drinin për të shmangur efektet që tashmë dihen nga reshjet e shumta që mund të bien herë pas here në basenin e Drinit”, - tha ministri Mjedisit. Por, pas përmbytjeve të njëpasnjëshme vendi është përfshirë nga një thatësirë, e cila është cilësuar fatale nga ekspertët e energjetikës. Ministri i Mjedisit deklaroi se sektori energjetik është më i prekuri dhe Shqipëria po synon të shtojë veprat hidro-energjetike. “Janë mbi 150 hidrocentrale të mesëm dhe të mëdhenj, të dhënë me koncesion deri tani, ku ndër më të mëdhenjtë mund të përmendim hidrocentralin në kaskadën e lumit Devoll dhe atë të Ashtës. Po ashtu, Shqipëria ka mbështetur dhe i sheh me interes projektet në fushën e energjisë së erës, parqet oelike po ndërtohen dhe së shpejti do të nisin edhe nga prodhimi i energjisë së erës”, - deklaroi Mediu. Gjithashtu, ai ka folur edhe dhe për nivelet e larta të ndotjes së ajrit, duke bërë me dije se në këtë drejtim masat konkrete kanë qenë në dy pikëpamje, eliminimi i përdorimit të naftës D2, që sillte ndotje të mëdha, si dhe vendosja e taksës për automjetet e vjetra. Për zbatimin e tyre, ministri deklaroi se do të kontrollohet implementimi i drejtë të tyre në bashkëpunimin me inspektoratet që merren me këtë fushë.
Fenomenet e ndodhura
Sipas ekspertëve të mjedisit, qysh sot janë shënuar dukuritë, si:
Rritja temperaturave mesatare vjetore (stinët e shkurtra dimërore dhe thatësira e tejzgjatur në verë).
Shtimi i numrit të ditëve me diell dhe reduktimi i reshjeve.
Lagështia e madhe në një ditë të nxehtë me një frekuencë më të madhe të reshjeve të rënda.
Ditët e verës, sidomos të muajit gusht kanë shënuar një rritje të fortë në volumin e ditëve të nxehta) duke u klasifikuar si periudhat më të gjata të thatësirës.
Dimrat janë shkurtuar në kohëzgjatje, por janë shtuar reshjet e shpeshta dhe të rënda, të cilat përgjatë vitit 2010 në muajt dhjetor dhe janar shkaktuan përmbytje në Shkodër.
Detin Adriatik është i prekur fort nga ngrohja globale. Aktualisht uji në të është në rritje me rreth një centimetër në vit dhe Deti Adriatik është ngrohur që nga vitit 1970, me një gjysmë gradë celsius.
Pasojat e ndryshimeve
Temperatura në rritje-Në vitin 2050 pritet një rritje mesatare e temperaturave vjetore me 2 gradë celsius dhe në vitin 2100 me 4 gradë, krahasuar me sot.
Mungesa e reshjeve - Në vitin 2050 pritet një pakësim i reshjeve vjetore prej 5-10 %, ndërsa në vitin 2100 një ulje edhe më e madhe nga 10-20 %, në krahasim me sot
Parregullsia atmosferike, sidomos reshje të furishme.
Rritja e nivelit të detit - Niveli i detit mund të rritet deri në vitin 2100 me 50 cm.