Taksat, rriten të ardhurat e Minibashkisë Nr. 9
Mbledhja e taksave ka rritur ndjeshëm nivelin e të ardhurave në Njësinë Bashkiake Nr.9 në kryeqytet. Kreu i kësaj njësie, Indrit Fortuzi, shprehet se po mblidhen vetëm taksat e vitit 2011 nga qytetarët, pasi taksat dhe gjobat nga viti 2007 deri në vitin 2010 janë falur me anë të një vendimi nga Këshilli i Ministrave. Gjithashtu, Fortuzi shpjegon se nga detyrimet që duhet të paguajnë qytetarët është hequr taksa e gjelbërimit prej 500 lekësh në vit dhe tani paguhet vetëm tarifa e pastrimit dhe taksa e ndërtesës prej 10.5 lekë për metër katror për të gjitha banesat e para vitit 1993, dhe prej 21 lekësh për metër katror për banesat të ndërtuara pas vitit 1993. Fortuzi shprehet se të ardhurat nga taksat janë në rritje për shkak të sensibilizimit që po bëhet nga kjo njësi bashkiake, e cila nuk e ka ndërprerë shërbimin as ndaj atyre qytetarëve, ku është konstatuar mospagimi i taksave vendore.