E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Bajramit, besimtarët dhurata për më të varfrit

Pas një muaji agjërimi, besimtarët myslimanë në qytetin e Beratit kanë festuar dje festën e Bajramit të Madh. Lutjet e kësaj feste kanë nisur që në orët e para të mëngjesit në të gjitha xhamitë e qytetit, ndërkohë që pranë Myftinisë kanë shkuar për të uruar për festën, pushtetarë lokalë dhe qytetarë të shumtë. E ndërsa besimtarët e feve të tjera e kanë kaluar ditën e Bajramit si një ditë pushimi, besimtarët myslimanë kanë organizuar deri në detaje festën e tyre të madhe. Ata kanë marrë pjesë në rritet fetare që kanë vazhduar gjatë gjithë paradites dhe më pas kanë organizuar në banesa drekën e madhe të Bajramit, që sipas traditës organizohet në familje. Ajo çka ka rënë në sy gjatë festës së Fiter Bajramit për këtë vit ka qenë gatishmëria e besimtarëve për të bërë dhurata për të varfrit. Një numër i konsiderueshëm besimtarësh kanë dhuruar ushqime dhe dhurata të ndryshme deri dhe lekë në të holla për ato familje që nuk kanë mundësi të festojnë Bajramin. Besimtarët më të devotshëm shprehen se Bajrami duhet festuar nga të gjithë dhe për të krijuar këtë mundësi çdo familje duhet të japë në shenjë humanizmi sipas mundësive ushqime, dhurata dhe lekë, por gjithmonë sipas dëshirës dhe mundësive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›