Shpërndahen ndihma për jetimët Myftinia, drekë për të varfrit dhe shtresat në nevojë
Besimtarët myslimanë të Qarkut të Fierit kanë festuar dje festën e Bajramit. Në xhaminë qendrore të qytetit të Fierit si dhe atë të Lushnjës, që në orët e para të mëngjesit, është kryer falja e Namazit. Festa e Bajramit vjen si një ditë e gëzueshme, me anë të së cilës i jepet fund muajit të agjërimit. Myftiu i Fierit, Karafil Mane, dhe ai i Lushnjës Tomorr Boriçi, kanë drejtuar faljen e madhe të festës së Bajramit, ndërkohë që me qindra besimtarë kanë mbushur jo vetëm xhaminë, por edhe sheshet pranë tyre. Jo vetëm njerëzit dhe familjet në nevojë, por edhe drejtues të pushtetit vendor e qendror kanë uruar nga afër klerin mysliman të Fierit. Duke u lutur për bashkim dhe mirëkuptim myftiu i Fierit, Karafil Mane, ka uruar jo vetëm besimtarët, por të gjithë komunitetin e qarkut dhe më gjerë për begati dhe lumturi në familjet e tyre. Në mesditë drejtues të Myftinisë së Fierit kanë shtruar një drekë për familjet e varfra, ndërsa kanë shpërndarë edhe ndihma për fëmijët jetimë dhe ato familje që trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, ndryshe ka kaluar festa e Bajramit në qytetin e Lushnjës. Ashtu si dhe tre vitet e shkuara, edhe këtë vit, kjo festë i ka gjetur të ndarë besimtarët. Pjesa më e madhe e besimtarëve i është drejtuar xhamisë së re, ndërkohë që vetëm pak besimtarë kanë vijuar ritualin e përvitshëm, duke festuar në një nga godinat pronë të myftinisë aktuale, por që menaxhohet nga ish-drejtuesit e saj.