E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Festa e Birrës” një mundësi unike argëtimi

Panorama PLUS 

Një fundjavë që do të lërë gjurmë tek të gjithë ata që ngjitën dje në mbrëmje kodrat e liqenit Artificial. Qëllimi, të dehesh me birrë dhe të shijosh produktet e mishit, që të gjitha që serviren të ftohta, për të shuar etjen në këtë verë përvëlonjëse. Kryeqytetasit por edhe të ardhur nga rrethet, janë dyndur nga kodrat e liqenit, pothuajse të të gjitha moshave për të shijuar muzikën dhe atmosferën e ndezur, e cila do të vazhdojë për plot 3 ditë dhe net. Nëse vitin e shkuar ishte hera e parë, sivjet organizuesi i këtij evenimenti, Ardit Gjebrea, kishte menduar gjithçka deri në detaje, edhe pse tashmë festa është kthyer në traditë, të gjithë i çuan këmbët në përpjetën e kodrave të qeta të liqenit Artificial, që këtë fundjavë, nuk ishin më të tilla. Birra u derdh lumë. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe, që birra më e vjetër në Shqipëri birra “Korça”, të ishte në krye të stendës, në të majtën e skenës dhe pak metra më tutje një tendë ofronte produkte mishi. Një organizim perfekt, duke pasur parasysh faktin që një pjesë e mirë e atyre që gjetën relaksin e fundjavës në kodrat e liqenit, ishin akomoduar nëpër tavolina, ndërsa pjesa tjetër të shtrirë në gjelbërim. Atmosfera ishte tejet intime për çiftet, të cilat duket se nuk i kanë rezistuar dot momentit për të kërcyer nën ritmet e muzikës. Entuziazmi dhe festa kanë arritur kulmin pas orës 22.00 të mbrëmjes, kur njerëzit të ekzaltuar nga muzika dhe birra e ftohtë nuk e kanë përmbajtur veten, duke kërcyer edhe mbi tavolina. Festa ka vazhduar deri në orët e para të mëngjesit, ndërkohë që rituali do të startojë sërish sot pak para mesditës në po të njëjtin vend, atëherë kur temperaturat do të arrijnë maksimumin e tyre, një birrë do të ishte ideale për t’u freskuar. Ndërkohë për të gjithë të pasionuarit e pijeve, sidomos birrës, këtë herë mundësia për të konsumuar sa më shumë, justifikonte sasinë, cilësinë dhe çmimin. Fundja të tilla raste vijnë rrallë dhe të shijosh freskinë e birrës “Korça”, për vetëm 50 lekë të reja, nuk mund të gjendet në asnjë festë të ngjashme dhe kaq popullore. Festa vazhdon edhe sot dhe të gjithë ata që duan të shijojnë këto tri ditë, mund të argëtohen fare lehtë duke u ngjitur në kodrat e liqenit, për të shijuar një fundjavë ndryshe nga të tjerat, madje me aq adrenalinë, sa shqiptarët kanë mundësi që ditë dhe net të tilla t’i përjetojnë vetëm një herë në vit.

Festa, vitrina e bizneseve

Një festë kaq masive mbetet gjithmonë idealja për të gjitha bizneset e suksesshme, që duan të reklamojnë produktet e tyre, madje edhe klientët mund të shijojnë ato të freskëta. Birra Korça ka qenë e parë në vetrinën e produkteve, duke u ndjekur nga Kaon, Stela dhe Norga. Stendat e birrave ishin më të preferuarat kjo për shkak të etjes së qytetarëve, të cilët kanë dashur ta shuajnë me pijen më tradicionale shqiptare, ndërkohë që çmimi prej 50 lekësh për një gotë plastike, ka qenë një ogur i mirë për të gjithë ata që preferojnë të shijojnë shpesh këtë pije. Nuk do të kishte kuptim që një pije e ftohtë si birra të mos shoqërohej nga produktet e mishit. Stendat e birrave dhe produkteve të mishit ishin alternuar aq pranë me njëra-tjetrën, sa të gjithë provuan edhe produktet e “EHW”, “FIX” apo “Hako”, të pjekura në skarë. Të gjithë përfaqësuesit e bizneseve që u ndodhën në stendat e produkteve që përfaqësonin, kanë pohuar se janë ndier shumë të kënaqur dhe janë shprehur se do të ishte më pozitive që evenimente të tilla të përsëriteshin më shpesh.

Kur dehen VIP-at

Ata që do ta ndiznin atmosferën e natës së mbrëmshme ishin artistët e ftuar, të cilët kanë kënduar në skenën e ngritur tek Kodrat e Liqenit. Disa nga emrat më të njohur që morën pjesë në këtë ngjarje ishin motrat Irma dhe Eranda Libohova, Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Mariza Ikonomi, Eneida Tarifa dhe shumë të tjerë, të cilët kanë kënduar gjatë gjithë natës duke u freskuar gjithashtu edhe nga birrat e ftohta. Ndërkohë që nuk munguar as përfaqësues të politikës, mes të cilëve nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eduart Shalsi si dhe përfaqësues të lëvizjes “Mjaft”. Por festa nuk ka mbaruar, pasi gjatë dy ditëve dhe netëve të tjera, do të ketë sërish artistë që do të mbajnë të ndezur atmosferën e Festës së Birrës, edhe për 48 orë të tjera.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›