E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Spanja, një ekip prej artistësh”

Mungesa e besimit nga ana e medias spanjolle, para ndeshjes çerekfinale të kombëtares së tyre ndaj Italisë, tashmë është shndërruar në një optimizëm të jashtëzakonshëm. 

Pas kualifikimit për në finalen e Evropianit, ku do të përballen me Gjermaninë, media e shikon si të sigurt triumfin e iberikëve.
“Ne jemi më të mirët”, ka shkruar e përditshmja “Marca” në faqen e parë. Ndërkohë “El Mundo Deportivo” e ka hapur me “Spanja mrekullon Evropën”.
Në fakt, përgëzimet e Spanjës kanë ardhur edhe për mënyrën se si po arrin të fitojë, duke dhuruar emocione dhe spektakël në fushën e lojës. “Kjo skuadër nuk është më ‘një rosak i shëmtuar’. Dështimi është zhdukur nga futbolli spanjoll. Tashmë, ata janë më të mirët, sepse fitojnë. Gjithsesi, mbi të gjitha, ata e kanë shndërruar futbollin në art”, ka shkruar e përditshmja spanjolle “AS”. Përfaqësuesja spanjolle është skuadra që ka dhuruar një futboll mjaft të saktë taktikisht, me pasa të shpejta, përdorim topi dhe me një mesfushë tepër teknike. Edhe e përditshmja “Que” është shprehur më e bindur te suksesi i skuadrës së Spanjës në ndeshjen finale. “Shikoni Kombëtaren e Gjermanisë dhe më pas atë të Spanjës. Ne jemi një makinë, e cila nuk do të prishet dhe do të triumfojë me meritë deri në fund. Kjo Spanjë ka shumë për të dhënë në botën e futbollit dhe do të marrë po aq suksese prej saj. Një kombëtare që ka kënaqur jo vetëm tifozët, por të gjithë sportdashësit. Spanja nuk ka rivalë”.

Ksabi Alonso: Gjermanët, jo favoritë

Mesfushori spanjoll, Ksabi Alonso, nuk beson se skuadra e tij mund të konsiderohet favorite në përballjen me Gjermaninë në finalen e Euro 2008. Por, në të njëjtën kohë, edhe gjermanët nuk duhet të ndihen të tillë. “Nuk mendoj se ka ndonjë favorit të qartë. Të dyja janë skuadra të forta, kështu që gjithçka mund të ndodhë në finale. Gjermania është një skuadër me shumë eksperiencë. Dy vjet më parë, ata zhvilluan ndeshje shumë të mira në Kupën e Botës. Edhe pse ndryshuan trajnerin, kanë vijuar me të njëjtën linjë loje”, deklaroi lojtari i Liverpulit, i cili konsideroi si kërcënuesit kryesorë në finalen e Vjenës Miroslav Klosen, Bastian Shvajnshtaiger, Mikael Balak dhe Lukas Podolskin. Vetë Alonso ndihet i kënaqur me minutat e pakta të luajtura në turneun e Austrisë dhe Zvicrës, por dënon idenë e Luis Aragonesit për të pasur “njëmbëdhjetë lojtarë të devotshëm në fushë”, gjë që do të kushtonte një tension që mund të pengonte “furinë e kuqe” të fitonte trofeun e parë që prej 1964. “Nuk e di se si funksionoi 44 vjet më parë, por në këtë një muaj që po qëndroj me grupin, them se është një skuadër fantastike”.

Aragonesi pret një fund të bukur

Trajneri i Spanjës, Luis Aragones, ishte në qiellin e shtatë pas fitores dhe performancës fantastike të lojtarëve të tij, të cilët dominuan gjithë ndeshjes, duke fituar thellë 3-0 ndaj Rusisë. Më i lumtur nga të gjithë, pas asaj fitoreje, u duk 69-vjeçari Luis Aragones, i cili e përkufizoi si një “sukses të jashtëzakonshëm” kalimin e skuadrës së tij në finale. “Filluam të luajmë në atë stil loje që ekipit rus i pëlqen, me pasime të gjata, por kur filluam të mbajmë topin, u treguam më të suksesshëm, si në mbrojtje edhe në sulm. Shënuam tre gola në një gjysmëfinale, ku është tepër e vështirë të marrësh këtë rezultat, - theksoi kreu i pankinës spanjolle. - Dëmtimi i Vilës na e zbehu paksa gëzimin e asaj ndeshjeje fantastike. Megjithatë, gjithçka qe e përkryer, shifrat, lojtarët dhe presingu që i bëmë kundërshtarit. Nuk jam tip i hapur, por e pranoj që në këtë moment ndihem i lumtur për veten, lojtarët, fansat dhe familjen time. Nuk mund të gjej fjalë për të përshkruar saktë atë që ndodh brenda meje. Me atë që kanë treguar, djemtë e mi e meritojnë të shpallen kampionë, edhe pse përballë kemi një kundërshtar të fortë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›