E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frings: T’u dhurojmë kupën fansave gjermanë

Kombëtarja gjermane do të luftojë në finalen e madhe të ditës së diel kundër Spanjës për trofeun e parë, që pas atij të fituar në kampionatin evropian të Anglisë më 1996. 

Në një intervistë, mesfushori Torsten Frings ka folur për dëmtimin e tij, si dhe për taktikën që mund të ndjekë skuadra në finale kundër Spanjës.
Si ndiheni pas brinjës së thyer në ndeshjen kundër Austrisë?
Nuk kam më asnjë problem, aq sa edhe vetë u çudita sa mirë shkuan gjërat për mua në gjysmëfinale. Tani jam mjaft i karikuar për finalen.
Nëse do ishit trajner, do e kishit futur veten në fushë?
Po, padyshim që do e kisha bërë një gjë të tillë. Unë e tregova në ndeshjen kundër turqve që isha në një formë mjaft të mirë. Prandaj, dua që edhe në finale të jem në fushë nga minuta e parë.
A keni folur për këtë me trajnerin Joakim Lëv?
Jo, por mendoj se do jem në formacion në finale.
Lëv ju ka lavdëruar për mirëkuptimin që treguat, që në gjysmëfinale nuk ishit në formacion...
Në fillim isha pak i zhgënjyer. Por pasi e mendova gjatë e me qetësi, e kuptova që vendimi i trajnerit ishte i duhuri. Dhe këtë ia thashë edhe Lëvit.
A nuk keni frikë se në finale ndonjë lojtar spanjoll mund t’ju godasë në brinjën e dëmtuar?
Jo, aspak, pasi edhe kundër Turqisë ishte një ndeshje tepër e fortë. Përveç kësaj, besoj edhe te ‘fair play’ i spanjollëve.
Çfarë prisni tjetër prej tyre?
Spanjollët kanë një skuadër mjaft të fortë teknikisht dhe janë shumë të sigurt në qarkullimin e topit. Por ata nuk e pëlqejnë shumë kur luhet me agresivitet kundër tyre. Dhe këtë ne duhet ta bëjmë që nga fillimi.
A do ishit për të njëjtën taktikë si kundër Portugalisë?
Këtë gjë e vendos trajneri. E rëndësishme është që të jesh i gatshëm për çfarëdolloj situate që mund të krijohet gjatë lojës. Dhe kjo gjë na ka shkuar mirë gjatë këtij turneu. Trajneri ka dhënë përgjigjen e duhur me ndryshimin e sistemit. Nëse do të luash në një nivel kaq të lartë, atëherë duhet të jesh i aftë të luash me sisteme të ndryshme. Ne jemi në gjendje ta bëjmë këtë.
Të hënën, ju do festoni me tifozët në Berlin. Ç’do të thotë kjo?
Festa që bëmë para dy vjetësh në Berlin me tifozët tanë ishte fantastike dhe për këtë i gëzohem shumë ditës së hënë. Por edhe pse festuam bukur, na mungoi diçka në Botërorin e 2006-ës. Kësaj radhe nuk duam të qëndrojmë në podium me bluzat ku shkruhet “Faleminderit”. Të hënën duam t’i tregojmë tifozëve tanë kupën dhe për këtë, secili prej nesh do të japë gjithçka në fushë.

Balak lufton kundër vendit të dytë
Nëntë herë ka dalë gjithsej në vendin e dytë gjatë karrierës së tij kapiteni i Gjermanisë, Mikael Balak. Vetëm në këtë sezon, mesfushori 31-vjeçar ka dalë tri herë i dyti me ekipin ku luan, Çelsin. Prandaj, kjo finale do të jetë një motiv më tepër për mesfushorin e Kombëtares gjermane, për të fituar titullin e tij të parë ndërkombëtar. “Është një ndjesi tepër e veçantë të jesh në finale. Por para se të shkojmë atje, duhet të përmirësohemi akoma”, është shprehur kapiteni i përfaqësueses së Gjermanisë, Balak. Në vitin 2002, ai ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer. Asokohe, bashkë me skuadrën e tij të Bajer Leverkusenit u shpall nënkampion i Gjermanisë, nënkampion i Evropës dhe në Botërorin e Koresë së Jugut u shpall me ekipin kombëtar gjerman nënkampion i botës. Kjo është një arsye më shumë për liderin e përfaqësueses.

Birhof: Do jetë një mbrëmje e paharrueshme

Dy ditë përpara finales së madhe të Vjenës, menaxheri i Kombëtares gjermane, Oliver Birhof, i ka premtuar tifozëve të zjarrtë fitimin e titullit kampion. “Të gjithë ata tifozë gjermanë që e kanë mbështetur skuadrën nga Gjermania, por edhe nga stadiumet, gjatë gjithë këtij turneu duhet të marrin tani shpërblimin e tyre, - theksoi Birhof. - Ne kemi përjetuar çdo ditë festimet e tifozëve tanë nga Gjermania. Prandaj, ditën e hënë kemi mundësinë më të mirë për t’i falënderuar ata. Shpresoj se do përjetojmë vërtetë një ditë të paharrueshme me qindra mijëra tifozë”. Për menaxherin e ekipit përfaqësues nuk ka shumë rëndësi se si do dalë finalja me Spanjën, pasi, sipas Birhofit, skuadra e Lëvit është fituesja e madhe: “Po të mendosh se ku u nisëm përpara katër vjetësh, do vësh re që kemi bërë një punë mjaft të madhe. Skuadra ka arritur në vitet e fundit dy herë vendin e tretë në kampionatin botëror të Gjermanisë dhe në Kupën e Federatave, ndërkohë që tani ndodhemi në finalen e evropianit. Përveç kësaj, kemi luajtur edhe një fazë eliminatore të mirë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›