E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu: Prishtina nuk bisedon më me serbët për statusin

“Prishtina nuk do të bisedojë më kurrë me Serbinë për të ardhmen e Kosovës”, kështu ka reaguar Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, lidhur me propozimet e reja nga Presidenti serb, Tadiç mbi një fazë të re bisedimesh. 

Propozimi i Tadiç është mbështetur nga rusët dhe është propozuar gjithashtu në OKB, e cila me sa duket ka vendosur ta dëgjojë edhe kësaj here Rusinë. Por Kosovës i është premtuar se do të ulen në tryezë me serbët për të biseduar pa prekur çështje delikate si ajo e statusit. Një debat i tillë do të ishte i papranueshëm për Kosovën, që tashmë ka simbolet dhe Kushtetutën si shtet me funksione të plota. “Kosova do të vazhdojë të zbatojë pakon Ahtisari që është e paprekshme. Asnjëherë nuk do të hapet për diskutim pakoja e Ahtisarit, asnjëherë nuk do të hapet statusi i Kosovës dhe asnjëherë nuk do të ulemi në tryezë më serbët për të diskutuar çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e Kosovës dhe me statusin juridik dhe kushtetues që ka ajo”, ka theksuar Presidenti i Kosovës Sejdiu. Sa për rikonfigurimin e UNMIK-ut, Sejdiu tha se ky proces nuk do të thotë marrje të sovranitetit të Kosovës dhe këshilloi se duhet të hiqen iluzionet se Kosova nuk është e pavarur. I pyetur se sa mund ta përshpejtojë procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut, njohjen ndërkombëtare të Kosovës, Presidenti Sejdiu tha se: “Eshtë e rëndësishme që të mos krijohen iluzione se, Kosova nuk është e pavarur dhe se konferenca e donatorëve do të jetë një kthesë e rëndësishme. Kosova është e pavarur dhe është njohur nga shumë shtete të botës. Koha e bartjes së asaj pjese të përgjegjësive në kuadër të mbikëqyrjes ndërkombëtare mund të përfundojë muajt e parë të verës deri në vjeshtë”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Ndryshon vula zyrtare e Kosovës
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Zenun Pajaziti, ka vënë vulën e parë me mbishkrimin Republika e Kosovës në pasaportën e një udhëtareje nga Aeroporti i Prishtinës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë të policisë, të doganave, misionit evropian EULEX dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Prishtinë. Deri tani, Kosova ka përdorur vulat e UNMIK.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›