E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bisedime me shqiptarët për qeverinë

Kryeministri maqedonas, njëkohësisht lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski po vazhdon bisedimet për zgjerimin e shumicës qeveritare me partitë shqiptare BDI dhe PDSH si edhe me kryetarin e PEA. 

PDSH dhe BDI nuk kanë dhënë asnjë detaj mbi takimin me Kryeministrin Gruevski. Ndërkohë, javën e ardhshme grupet punuese të partive politike që synojnë të jenë pjesë e qeverisë do të takohen duke paraqitur programet e tyre. Në lidhje me çështjet që preokupojnë Maqedoninë këto ditë, zëvendësndihmësja e Sekretares amerikane të Shtetit, Rosemary Di Karlo, ka vizituar Shkupin dhe është takuar me krerët e vendit dhe me liderët e partive politike shqiptare, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, me të cilët ka biseduar për nevojën e arritjes së kompromisit për progresin që duhet të arrihet dhe mbi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Di Karlo u shpreh se SHBA dëshiron formimin sa më parë të qeverisë së re, për të vazhduar kursin e reformave, ndërsa shefi i diplomacisë, Antonio Milloshoski, tha se në qeverinë e re do të ketë së paku edhe një parti politike shqiptare, edhe pse kjo, sipas tij, nuk e obligon mandatarin Gruevski, pasi partia e tij ka shumicën absolute në përbërjen e re parlamentare. Në të gjitha takimet me diplomaten e lartë amerikane është biseduar edhe për çështjen e emrit dhe Maqedonia është inkurajuar nga Rosemary Di Karlo për arritjen sa më të shpejtë të kompromisit me Greqinë. Rosemary Di Karlo u takua edhe me kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski dhe Presidentin e Republikës së Maqedonisë, Branko Cërvenkovski ku shprehu zhgënjimin nga rezultati i Samitit në Bukuresht dhe e konfirmoi përkrahjen që Uashingtoni i jep Republikës së Maqedonisë për anëtarësimin e saj sa më të shpejtë në NATO.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›