Festa e Flamurit, Bashkia e Tiranës heq zymtësinë 11 vjeçare – qytetarëve u rikthehet buzëqeshja
Përgjatë gjithë ditës, Bashkia e Tiranës ka organizuar në të gjithë kryeqytetin festime dhe aktivitete të ndryshme për nder të 28 nëntori, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. Dje, Tirana ka qenë ndryshe, duke përjetuar një 28 nëntor që mungonte prej 11 vitesh, me të gjitha nderimet që i takojnë datës më të shënuar për të gjithë kombin shqiptar
Jo më larg se një vit më parë 28 Nëntori ishte një festë shkretëtirë, në heshtje dhe zymtësi të plotë. Fatmirësisht, ajo është një e shkuar që nuk kthehet më. Bashkia e Tiranës i dhuroi dje të gjithë shqiptarëve, emocionet e vërteta të një feste kombëtare, aq më tepër kur bëhet fjalë për Ditën e Flamurit, shpalljen e Pavarësisë 99 vjet më parë. Tirana u zgjua nën petkun e dekorit kuq e zi, për të vijuar me aktivitetet e larmishme kulturore dhe artistike gjatë ditës, ndërsa në darkë do të kulmonte me koncertin në sheshin “Nënë Tereza” dhe hedhjen e fishekzjarrëve që ndriçuan Tiranën si dhe entuziazmuan mijëra qytetarë të mbledhur për të festuar ditën e Pavarësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Natyrisht, që këtë moment ndryshe, e ndoqi edhe vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha me bashkëshorten e tij. Pas fishekzjarrëve, në skenën e improvizuar janë ngjitur dhe kanë performuar emrat më të njohur të këngëtarëve shqiptarë. S’kishte si të ndodhte ndryshe. Dita e djeshme duhet të performonte domosdo një ditë feste dhe ngazëllimi për 99 vjetorin e Pavarësisë. Mëngjesi i 28 Nëntorit u çel me cermoninë tek Varrezat e Dëshmorëve, ku bënë homazhe krerët më të lartë të vendit, vijoi me plot aktivitete të tjera të organizuara nga Bashkia e Tiranës, ndërsa rrugët dhe sheshet e kryeqytetit u mbushën me flamuj kuq e zi. Pjesë e këtyre aktiviteteve ishte panairi “Blej shqip”, ku u tregtuan vetëm produkte shqiptare. Pjesë e festimeve të Pavarësisë së Shqipërisë ishte edhe ekspozita fotografike me momentet më të rëndësishme historike të festimeve të kësaj dite në Tiranë dhe momente të tjera të rëndësishme ndër vite të lidhura me këtë ditë të gjetura në Arkivin e Shtetit, si dhe me foton e flamurit origjinal të ngritur në Tiranë më 1912, që i përket familjes Mara. Në Muzeun Etnografik, “Kulturë dhe Vazhdimësi”, në sheshin përpara muzeut dhe Kullës së Sahatit u ngrit një ekspozitë me objekte (suvenire) që përmbajnë Flamurin Shqiptar. Edhe Cirku i Tiranës, ishte pjesë e zinxhirit të aktiviteteve festive. Shfaqje teatrale për fëmijë u organizuan nga Teatri Metropol. Në bashkëpunim me Liceun Artistik u organizua pikturimi interaktiv me temë “Shqipëria ime”, në të cilën fëmijët pikturuan “live”. Në koncertin “Flaka e Jubileut” në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, Kryeministri Berisha çeli edhe siparin e vitit të 100 vjetorit të Pavarësisë. Atmosfera festive kulmoi me koncertin e madh në orën 18:00 në Sheshin “Nënë Tereza”, ku interpretuan përfaqësuesit më të mirë të muzikës shqiptare.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe familja e tij festuan Pavarësinë mes një numri të madh qytetarësh/Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i shoqëruar nga bashkëshortja Aurela dhe vajza e madhe, Dafina, ka qenë dje i pranishëm në të gjitha aktivitet e organizuar nga Bashkia e Tiranës në përkujtim të 99 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare. Fillimisht ata u ndalën në panairin “Blej Shqip” ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe bashkëshortja e tij, Liri Berisha. Mes qytetarëve të shumtë, ata panë nga afërt ekspozimin e produkteve shqiptare si dhe produkteve të tjera tradicionale. Kreu i Bashkisë së bashku me familjen e tij u zhvendosën në bulevard dhe në Parkun Rinia ku morën ku ndoqën me qindra vogëlushë premierën “Thesaret e Cirkut”, shfaqjen për fëmijë “Maçoku me Çizme”, ndërsa vizituan edhe ekspozimin e pikturave me temë: “Shqipëria ime”. Kryebashkiaku vizitoi edhe stendën e fotografisë ku bëri foto me protagonistët e Pavarësisë, të interpretuar nga aktorët e Teatrit të Metropolit. Basha u përshëndet me qindra qytetarë që festonin në Bulevard duke ndarë me ta urimet për 99 vjetorin e Pavarësisë kombëtare. Mesazhi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha për 99 vjetorin e Pavarësisë Kombëtare, “shpresoj që qytetarët e Tiranës dhe gjithë shqiptarët që sot kanë zgjedhur Tiranën për 28 Nëntorin, festën tonë kombëtare, të gjejnë në qytet atë që kërkojnë”. “Nëse kanë fëmijë të vegjël, shpresoj të jenë kënaqur me shfaqjet e ndryshme të Cirkut apo të Teatrit; ata që kanë interes për historinë, sot kanë pasur mundësinë të fotografohen bashkë me personazhet kryesore të Aktit të Pavarësisë, të performuar nga artistët e Teatrit “Metropol” dhe Teatrit Kombëtar; të gjithë ata që kanë në zemër kuzhinën e produktet shqiptare, prodhimet e dorës, mund t’i kenë gjetur ato apo mund të vazhdojnë deri në orët e vona të mbrëmjes në Panairin “Blej Shqip”, tek rruga pedonale “Murat Toptani”, ndërkohë që fëmijët dhe të rinjtë e kryeqytetit janë angazhuar në një ekspozitë interaktive të pikturës, ku pikturojnë jo vetëm me telajo, mbi tablo të ndryshme të qytetit, por edhe në faqet e njeri-tjetrit, simbolin kombëtar dhe të tjerë artistë të vegjël të Liceut Artistik po performojnë këngë të repertorit tonë folkloristik, të orkestruara nga orkestra e Liceut Artistik. Këtu para disa minutash ka përfunduar teatri “Maçoku me çizme”, ndërkohë që Cirku i Tiranës vazhdon të performojë premierën “Thesaret e Cirkut”, ndërsa në mbrëmje përveç aktiviteteve të organizuara nga institucionet e tjera, Bashkia e Tiranës ka organizuar për të gjithë të rinjtë e kryeqytetit dhe të gjithë të rinjtë shqiptarë, por jo vetëm të rinjtë që kanë zgjedhur Tiranën si destinacionin e tyre për 28 Nëntorin dhe kanë bërë shumë mirë që e kanë zgjedhur një koncert me këngëtarët më të mirë dhe repertorin më të zgjedhur të muzikës së lehtë, të muzikës rrok dhe pop shqiptare por edhe të muzikës popullore shqiptare në shesin ‘Nënë Tereza”, në orën 18.00 deri në 20.30. Mos mungoni në këtë mundësi! Gëzuar festat! Gëzuar 28 Nëntorin dhe bëfshi sa më shumë qejf në Tiranë! Është vendi i duhur për të kënduar, për t’u argëtuar e festuar së bashku”- ishte urimi i kryebashkiakut Basha, për festën e Pavarësisë.
Kryebashkiaku Basha, homazhe pranë bustit të Adem Jasharit, në Tiranë/Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha bëri homazhe pranë bustit të komandantit legjendare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharit, në Tiranë. I shoqëruar nga i ngarkuari me punë i Kosovës në vendin tonë, kryebashkiaku Basha vendosi kurorë me lule pranë bustit të komandantit, Jashari. Basha vlerësoi kontributin e Adem Jasharit për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve ndërsa tha se vitin tjetër, në të njëjtin vend ku sot ndodhet busti i tij në Tiranë, do të vendoset një përmendore e tij e realizuar nga skulptori i njohur Muntaz Dhrami. “Është dita e lindjes së Adem Jasharit, por edhe dita e rilindjes së tij dhe gjithë atyre që dhanë jetën dhe u flijuan në altarin e sakrificës për lirinë e kombit, pavarësinë e tij dhe për të drejtat e qytetarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë”- tha Basha. “28 nëntori është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, është dita e Flamurit Kombëtar por ka një domethënie shumë të madhe. Në historinë tonë, njihet si dita e ngritjes së flamurit në Krujë nga heroi ynë Gjergj Kastriot Skënderbeu, por është edhe dita e lindjes së heroit së luftës së Kosovës, Komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Nuk ka rastësi. Është dita e lindjes së Adem Jasharit por edhe dita e rilindjes së tij dhe gjithë atyre që dhanë jetën dhe u flijuan në altarin e sakrificës për lirinë e kombit, pavarësinë e tij dhe për të drejtat e qytetarëve shqiptarë kudo që ata jetojnë. Me lejoni të them edhe një njoftim, që këtu ku ndodhet busti i Adem Jasharit, vitin tjetër ne do të vendosim përmendoren e Adem Jasharit, për të cilën puna ka filluar nga Skulptori i Popullit, Muntaz Dhrami” - deklaroi Basha.