E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, të bashkuar kundër krizës

29-11-2011 / Nga Ilirian Dahri

Në fillim ishte një krizë globale e cila solli krizën edhe në vendet e Europës. Tanimë është një krizë europiane që ndikon shumë në krizën planetare. Pas takimit të treshes Monti, Merkel dhe Sarkozi që u mbyll ndoshta pa u vendosur shumë për mënyrën sesi do të ecej përpara, përjashto ndoshta faktin se tre vendet kërkojnë ndryshime në traktatet e Bashkimit Europian - tani pason edhe një takim tjetër ai që zhvillohet në  Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse nga Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe sidomos nga gazetat amerikane është folur shumë këto ditë për fundin e epokës së euros ndërsa Shtëpia e Bardhë po ndjek me vëmendje situatën duke kërkuar në të njëjtën kohë një zgjidhje të shpejtë. Ndoshta sipas gazetave amerikane kriza mund të prekë edhe Gjermaninë pra Europën e veriut por edhe Francën. Sikur mos të mjaftonin të gjitha këto  Financial Times gazeta britanike, ka botuar një sondazh sipas të cilit shumë prej bankave europiane nuk kanë likuiditete dhe ndoshta bankat europiane në vitin 2004 kishin ndërkaq një mangësi prej 241 miliardë euro. Të dhëna alalrmante që kanë shtuar vëmëndjen edhe të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama kundrejt Europës. Kërkohet vendosmëri për zgjidhjen europiane. Për këtë do të ndihmojë padyshim takimi mes presidentit amerikan, presidentit të Komisionit Europian, Hoze Manual Barrozo dhe presidentit të Këshillit Europian, Herman van Rompuy të cilët sipas gjasave do të informojnë presidentin Obama mbi situatën europiane. Ndoshta nuk do të ketë këshillime nga ana e presidentit Obama edhe pse në takim do marrë pjesë sekretari i thesarit, Timoti Geithner, i cili në shtator kur kishte marrë pjesë në Ekofin kishte ngritur disa kritika kundrejt europianëve. Sepse edhe vetë ekonomia amerikane nuk është në ditët e saj më të mira. Priten rezultatet e të papunëve dhe flitet se kanë mbetur në 9% në muajin nëntor. Sidoqoftë amerikanët dhe presidenti Obama do të kërkojnë që Europa të ndërhyjë shpejt kundër krizës e cila mund të shkaktojë efekte të jashtëzakonshme.  Duhet një aksion i ekuilibruar në mënyrë që mos të pengojë edhe rritjen ekonomike. Në fakt edhe vetë presidenti Obama po kërkon të bëjë të njëjtën gjë me Shtetet  e Bashkuara të Amerikës duke kërkuar madje edhe ndihmën e Fed e cila flitet se është më agresive për t’u përgjigjur interesave amerikane sesa mund të jetë Banka qendrore europiane me fatet e europianëve. Ndërkaq Banka Qendrore Amerikane ka kryer tre manovra duke mbajtur taksën e interesit mes 0 dhe 0,25%. Por ndërkaq statuti i Fed  parashikon se dy misionet e saj  janë: stabiliteti i çmimeve dhe lufta kundër papunësisë ndërsa Banka qendrore europiane ka si qëllim të saj kontrollin e inflacionit. Por dy aleatët kanë shumë nevojë për njëri - tjetrin sepse ekonomitë e tyre janë shumë të lidhura me njëra - tjetrën sidomos nga tregjet dhe ndonjë falimentim i mundshëm i Bankës Europiane mund të sillte efekte edhe në ekonominë amerikane. Por edhe mbi hipotezat që deri disa vite më parë as nuk mund të imagjinoheshin duket se do të jenë  në qendër të vëmëndjes. Një ndër to është Kina e cila mund të ndihmonte Europën për daljen nga kriza. Por nga ana tjetër Shtetet e Bashkura të Amerikës  nuk do të donin kurrsesi praninë kineze në Europë. Po i vjen me të vërtetë fundi euros? Të paktën kështu po t’i referohemi The Economist që në fund të kopertinës të saj jep një një monedhë euro në rënie të lirë dhe nën flakë. Ndoshta përgjigjet mund të vijnë nga këto takime por edhe nga mbledhja e Eurogrupit për të përfunduar me takimin e 27 ministrave të ekonomisë dhe të financave të vendeve të Bashkimit europian që do të zhvillohet të mërkurën. Këto mbledhje dhe takime duhen edhe për të dhënë një frymë besimi për tregjet financiare. Por duhen edhe për të pregatitur sa më mirë takimin e krerëve të shteteve dhe të qeverive që do të mbahet më 8 dhe 9 dhjetor. Situata është e vështirë vetëm disa javë më parë thuhej “Eeg” (Everyone except Germany, të gjithë përjashto Gjermaninë), ndërsa sot kriza nuk po kursen më as gjigandët gjermanë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›