E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha ndez Flakën e Jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë

29-11-2011 / Gazeta 55

“Flaka e Jubileut”, në TKOB

Kryeministri Sali Berisha shpalli dje në mbrëmje gjatë koncertit “Flaka e Jubileut”, të zhvilluar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, çeljen e vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë. “Shqiptarët kudo që janë, gëzuar festën e Pavarësisë së Shqipërisë”, uroi Kryeministri, duke çelur njëherazi siparin e vitit të 100 vjetorit të Pavarësisë dhe duke marrë në duar flakën e vitit jubilar. “Shqiptarët sot kudo që ndodhen, janë të lirë. Shqiptarët sot kudo që janë po ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri. Ndaj le të urojmë së bashku një vit të madh” - tha Berisha. Ai tha se viti i 100 vjetorit është viti i madh për ata burra e gra, djem dhe vajza që flijuan jetën dhe rininë tyre që ne të jemi të lirë, që Shqipëria të mbetet përjetë e re. “Është një mirënjohje ndaj miqve tanë, kudo që ndodhen, që në momente kritike për historinë kombëtare, qëndruan krah nesh dhe fituam. Është një mirënjohje për gjithë ata shqiptarë, që nëpërmjet përpjekjeve të tyre këto 100 vite, bënë që Shqipëria të vijë në 100 vjetorin e saj më e bukur, më krenare, më e lirë se kurrë”- tha kryeministri. “Viti i jubileut është viti i vizionit të ri për vendin, viti në të cilin Shqipëria dhe shqiptarët do të përcaktojnë si të ardhmen më të mirë, ëndrrën e vogëlushëve që lindin në këtë vit”- theksoi Berisha. Në koncertin “Flaka e Jubileut” morën pjesë personalitetet më të larta të vendit, Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Zv/Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, Kryebashkiaku Basha, ministra, deputetë dhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri.
Koncerti te “Nënë Tereza” - Në 100-vjetorin e Pavarësisë, Shqipëria do jetë më e fuqishme se kurrë/Kryeministri Berisha përshëndeti dje në mbrëmje koncertin festiv të organizuar në sheshin “Nënë Tereza” nga Bashkia e Tiranës, në kuadër të festimeve për ditën e 28 nëntorit. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, si dhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, Kryeministri Berisha mori pjesë në koncertin festiv, ku shprehu dhe njëherë nderimin më të thellë qindra e mijëra shqiptarë, djem e vajza, që vendosën rininë e tyre, në themel të Shqipërisë së lirë e të pavarur. “Shqipëria hyn në 100 vjetorin e Pavarësisë së saj, më e mençur, më e zgjuar, më e fuqishme, më e re, më e bukur se kurrë në historinë e saj. Shqipëria sot ka fytyrën tuaj, shpirtin tuaj, zemrën tuaj, vizionin tuaj”, iu drejtua Kryeministri Berisha të rinjve të pranishëm në sheshin “Nënë Tereza”. Duke uruar të rinjtë për festën e pavarësisë, ditën e flamurit, ditën e lirisë, Berisha tha se “sot ne nisim vitin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Janë 100 vite udhë dhe shtigje të vështira, 100 vite rrebeshe të mëdha historike, por 100 vite në të cilat rinia e këtij vendi, në çdo rrethanë dhe çdo kohë, u bë shpëtimtare e saj”. “Sot ne kremtojmë ditën e të gjitha ditëve të mëdha, aktin më madhor të historisë sonë kombëtare, aktin që bëri të mundur që shqiptarët të jenë sot të lirë në Tiranë, në Prishtinë dhe kudo që janë” - tha kryeministri Berisha.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›