Shqipëria festoi si Zonjë e Rëndë
Me nisjen e vitit të festimeve të 100 vjetorit, Shqipëria tregoi se po feston si një Zonjë e Rëndë, si një shtet që po u kthehet hapësirave natyrore të shqiptarisë. Tirana ktheu vellon e kremtimeve serioze të shekullit të pavarësisë dhe u shndërrua në epiqendrën e botës shqiptare, e cila që nga Presheva e deri në Çamëri kremtoi dje triumfin e një kombi që nga mbijetesa po kalon tek prosperiteti
Një model dhe shembull më vete, ka qenë dita e djeshme e festimeve të 99-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Atmosfera festive e startuar prej ditësh në Tiranë, por për më tepër, emblemat zyrtare të Republikës dhe Bashkisë, të vendosura krah për krah nëpër rrugët e Tiranës, përcollën frymën përbashkuese të kësaj feste kombëtare. Duke simbolizuar bashkautorësinë dhe bashkëorganizimin e ditës së djeshme festive, ato stema, më herët, saktësisht prej ditësh, kishin kapërcyer barrierat virtuale dhe në këtë kapërcim, kishin bërë që e gjithë vëmendja e kombit shqiptar në Malin e Zi, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, por edhe më larg, të kishin dje një pikë konverguese, në Tiranën zyrtare, kryeqytetin e Shqipërisë.
Përjashtim, jo aq me mungesën e tij fizike dje në Tiranë, bënte Edi Rama. I “çliruar” nga barra e mbajtjes nën sqetull të emblemës së Bashkisë së Tiranës, duke e ruajtur atë në 28 nëntorët e kaluar nga ekspozimi përbri simboleve të institucioneve të shtetit shqiptar, Edi Rama dje kishte zgjedhur të bënte të padukshmin. Për atë, dhe jo vetëm, gjëja më e rëndë është, jo mosbërja pjesë e atij vetë e festimeve të 28 Nëntorit, po lënia në harresë prej gjithë të tjerëve e 29 nëntorit. Ndërsa deri vjet, ai harronte të servirte në Tiranë një atmosferë festive për ditën e shënuar të 28 Nëntorit, këtë nuk e harronte në 29 nëntor..., datë për të cilën kishte sajuar edhe një biçim, “nate të bardhë”...
Përpos kësaj, gjithsej karakteri përbashkues i festës së Pavarësisë në të gjitha trojet shqiptare, dje kishte një arsye më shumë, që të ishte e tillë.
Momenti i mirë ekonomik që po kalon Shqipëria, është një tregues domethënës, i rrëzimit të barrierave të tjera, jo vetëm virtuale. Në këtë situatë të rrëzimit të këtyre barrierave ekonomike, afër mendsh ky moment i mirë ekonomik, nuk kishte si të mos demonstrohej dje, në ditën e shënuar të 99 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Por, më shumë se çdo gjë tjetër, dallimin në ditën e djeshme të atmosferës përbashkuese të festimeve të 99 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, e bënte orientimi perëndimor i Shqipërisë. Si një vend, anëtar i NATO-s, si një vend aspirant për tu anëtarësuar në BE, por për më tepër si një vend, ku dita e djeshme e festimeve të Pavarësisë ishte dita e parë e tillë, që shqiptarët i gjen me të drejtën e tyre për të lëvizur lirshëm nëpër Europë, orientimi perëndimor i festës së djeshme përbashkuese, jo vetëm që bënte dallimin me 28 nëntorët e tjerë, por ishte konfirmimi i dëshirave të realizuara dhe largpamësive të materializuara të burrave të kombit shqiptar, të startuara 99 vjet më parë.
Berisha: Shqipëria hyn në vitin e vizionit të ri, 100 vjetorin e Pavarësisë/Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e 28 Nëntorit, në nderim të kujtimit dhe veprës së dëshmorëve e martirëve të kombit dhe gjithë patriotëve shqiptarë. Të pranishëm në këto homazhe përkujtimore ishin edhe Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, Kryetari i Bashkisë së Tiranës z. Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes z. Arben Imami, Prefekti i Tiranës z.Keltis Kruja, si dhe personalitete të tjerë, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve dhe të të rënëve. Kryeministri vendosi një kurorë me lule dhe bëri homazhe pranë Memorialit “Nënë Shqipëri”.
Pas homazheve të zhvilluara në varrezat e Dëshmorëve, Kryeministri Berisha, duke folur për mediat, tha se 28 Nëntori është dita e nderimit më të madh, respektit më të thellë, mirënjohjes më të pakufishme ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave shqiptare që me jetën e tyre, me gjakun e tyre, me rininë e tyre, vaditën rrënjët e lirisë që ne gëzojmë sot. “Sot është 99 vjetori i lindjes së kombit të lashtë shqiptar, dita e Pavarësisë së Shqipërisë, dita ë Flamurit kombëtar. Sot është dita e nderimit më të madh, respektit më të thellë, mirënjohjes më të pakufishme ndaj të gjithë atyre burrave dhe grave shqiptare që me jetën e tyre, me gjakun e tyre, me rininë e tyre, vaditën rrënjët e lirisë që ne gëzojmë sot. Ata sollën këtë ditë si ditë të të gjitha ditëve shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë është akti më madhor në historinë tonë kombëtare, akt që bëri të mundur që shqiptarët sot, kudo që ndodhen, të jenë të lirë. Pavarësia e Shqipërisë ishte rezultat i luftërave mbinjerëzore të shqiptarëve për liri e dinjitet, i kryengritjeve të mëdha të viteve 1908-1912 të shqiptarëve në Kosovë, kryengritje që gjunjëzuan Portën dhe tronditën mbarë Evropën. Ishin këto kryengritje që bënë të pashmangshme Pavarësinë e Shqipërisë”- u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se “sot nderojmë një datë tjetër të rëndësishme, çlirimin e Shqipërisë, ditë e cila do të shndrisë gjithmonë në historinë tonë kombëtare”.
Duke vlerësuar kontributin e të rënëve në luftën për çlirimin e vendit, Kryeministri Berisha nënvizoi; “Lufta Nacional Çlirimtare përbën një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit shqiptar dhe këta burra të thinjur që janë sot këtu së bashku me ne, mbushën fushat, kodrat, malet e Shqipërisë, rrokën armët dhe u përballën me armikun më të egër që kohërat kishin njohur, luftuan e çliruan vendin dhe renditën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë së njerëzimit”. Sot ne nderojmë me respektin më të madh themeluesin e saj, plakun e urtë Ismail Qemalin, nderojmë udhëheqësit dhe tribunët e kryengritjeve të mëdha, Hasan Prishtinën, Bajram Currin e Isa Boletinin, si dhe shumë e shumë burra të tjerë të cilët u prinë luftërave të shqiptarëve për pavarësi. Por sot ne nderojmë së bashku, edhe ata burra, gra, djem e vajza, që në fund të shekullit që shkoi, rrokën armët, luftuan për liri e dinjitet dhe bënë Kosovën të pavarur. Kombi përulet me nderim të madh para Adem Jasharit dhe të gjithë atyre që ranë për liri dhe vendosën shpirtin, zemrën e tyre, në themelet e Kosovës së pavarur. Dita e pavarësisë është një ditë frymëzimi për të gjithë shqiptarët, ditë në të cilën ne projektojmë të ardhmen, zotohemi për të ardhmen. 28 nëntori i këtij viti, shënon edhe fillimin e vitit që sjell 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, vitit më të madh që shqiptarët kanë për ta festuar, pas vitit 1912. Ky vit do të jetë një nga vitet më festive në historinë tonë kombëtare. Ky vit do të rikthejë në memorien aktuale, veprën e madhe, legjendën, epiken e përpjekjeve shqiptare, nga lidhja e Prizrenit, deri në ditët e sotme. Por sot nderojmë një datë tjetër të rëndësishme, çlirimin e Shqipërisë, ditë e cila do të shndrisë gjithmonë në historinë tonë kombëtare. Lufta Nacional Çlirimtare përbën një nga faqet më të ndritura të historisë së kombit shqiptar. Këta burra të thinjur që janë sot këtu së bashku me ne, mbushën fushat, kodrat, malet e Shqipërisë, rrokën armët dhe u përballën me armikun më të egër që kohërat kishin njohur, luftuan e çliruan vendin dhe renditën Shqipërinë në anën e drejtë të historisë së njerëzimit. Ndaj edhe njëherë, nder të madh të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për lirinë kombëtare, të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për pavarësinë e Shqipërisë, nder të veçantë familjeve të tyre që trashëgojnë sakrificën sublime të njerëzve të tyre më të dashur”- tha mes të tjerash, në urimin e tij për festën e Flamurit, kryeministri Sali Berisha.