E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakti/Edi Rama shkoi në Kosovë vetëm për të kremtuar 29 nëntorin e AVNOJ-it

29-11-2011 / Gazeta 55

Këtë vit, Edi Rama kryetar i PS-së nuk do ta nxijë Tiranën me të ashtuquajturën “natë të bardhë”. Nuk është më kryetar i bashkisë së kryeqytetit. Tanimë në cilësinë e kryetarit të partisë që na la amanet Enveri dhe Ramizi, Rama po mundohet ta zhvendosë “natën e bardhë” dhe ku pale, në Kosovë. I gjendur prej ditësh në Prishtinë për të përuruar librin e tij të quajtur “Kurban”, Rama i partisë, mendoi të festonte nostalgjinë e AVNOJ-it jugosllav në Kosovë. Dihet që në Kosovë nuk feston njeri 29 nëntorin përveç ndonjë serbi të ngelur aty apo ndonjë titisti të palëvizur. Duke e ndjerë detyrë internacionaliste mbajtjen gjallë të frymës avnojiste, Rama duket se i ka hyrë në qejf që festimet t’i bëjë atje. Prej disa vitesh Rama kishte nxirë Tiranës çdo 29 nëntor, me të ashtuquajturat “net të bardha” të cilat nuk bënin gjë tjetër veçse himnizonin diktaturën komuniste, ligjëronin krimet e saj dhe natyrisht synonin largimin e çdo ndjenje kombëtare.
29 nëntori kjo datë përçarëse midis shqiptarëve mbahet nga faktori i majtë në Shqipëri si “ditë çlirimi”, ndërsa as që njihet në Kosovë si e tillë. Atje njihet si dita e përkujtimit të robërisë pas vitit 1944, në kohën kur Kosova u ripushtua nga serbët.
Përderisa në Shqipëri kryebashkiakët socialistë të Ramës lënë kokën pas festimeve të llojit “24 maj” (imitacioni i AVNOJ-it jugosllav), krejt natyrshëm edhe i pari i tyre mendjen atje e ka. Rama si duket kërkon ta eksportojë 29 nëntorin në Kosovë, jo më pak nga ç’bënë brigadat e kuqe 50 vjet të shkuara. Tani atij do i duhet pak punë pasi kjo kërkon të gjejë dhe pasardhësit e Miladinit e ato të Dushanit në mënyrë që festimi të jetë sa më i plotë. Tani që në Tiranë po ribotohen kujtimet e Nexhmije Hoxhës, pikësëpari në gazetën e mikut të Ramës, shihet e domosdoshme që ky unitet mendimi të vazhdojë edhe më tej. Rama në Kosovë nuk kërkoi falje për krimet e brigadave të kuqe të forcës që ai përfaqëson. Ai nuk mund të ndahet nga trashëgimia staliniste. Këtë gjë e ka treguar me urrejtjen e madhe që ka pasur gjithnjë për festën kombëtare të Shqipërisë, 28 Nëntorin e shprehur kjo me mosfestimet që bënte bashkia e drejtuar prej tij. Jo sot, por edhe më parë, politika e majtë e kishte shqetësim të madh që 29 nëntori nuk gjente vend në Kosovë, pasi prej këndej ai është përzënë me çlirimin e saj. Sepse gjithnjë 29 nëntori ka qenë i huaj për shqiptarët. Për këtë Rama duket se feston.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›