E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa e Pashkëve, Topi e Berisha urojnë besimtarët



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe kryeministri Sali Berisha uruan dje gjithë besimtarëve shqiptarë të krishterë, katolikë dhe ortodoksë, Festën e Pashkëve. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se, nëpërmjet një mesazhi dërguar Imzot Rrok Mirditës dhe Kryepeshkopit Anastas Janullatosit, Presidenti Topi u përcjell “të gjithë besimtarëve shqiptarë të krishterë, katolikë dhe ortodoksë, kudo ndodhen, urimet me të përzemërta për mbarësi, mirëqenie, gëzim e harmoni”. “Kjo ditë e shenjtë në kalendarin e krishterë sjell për besimtarët katolikë e ortodoksë harenë dhe solemnitetin e një kremtimi madhështor, ku vlerat njerëzore dhe hyjnore plotësojnë shpirtin, ku nderimi dhe përulësia ndaj të Plotfuqishmit rigjallërohet dhe kur besimi tek triumfi i mirësisë ringjallet dhe rimishërohet në veprat e në sjelljen e gjithësecilit prej nesh”, thuhet në mesazhin e urimit të Presidentit Topi. Kryeministri Berisha duke uruar të gjithë besimtarët e krishterë tha se “besimtarët shqiptarë në Shqipëri dhe kudo janë, kremtojnë sot Pashkët më të lirë, më të begatë, më të denjë se kurrë më parë. Shqipëria kremton këto pashkë si një vend anëtar i NATO-s, si një vend që ecën i sigurt drejt shndërrimit në realitet të ëndrrës evropiane së kombit shqiptar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›