E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra për pronën, në gjyq i moshuari 67 vjeç



TIRANE - Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet për Ferhat Cullhajn, të akuzuar për "vrasje me dashje" në dëm të një 72- vjeçari. Dosja në ngarkim të Cullhajt është depozituar pak ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit. Sipas kërkesës për gjykim të prokurorisë, Ferhat Cullhaj, 67 vjeç, është autori i masakrimit të të moshuarit Shefik Grori, ngjarje e ndodhur më 31 dhjetor të vitit të kaluar në Prezë të Tiranës. Ndonëse Cullhaj e ka pranuar autorësinë e ngjarjes, sipas prokurorisë, ai nuk është treguar i sinqertë mbi dinamikën e saj. "Ai, siç edhe ka pranuar vetë, ka goditur viktimën në kokë me një mjet të fortë çarës e mprehtës. Nuk e ka goditur një herë të vetme, por disa herë me një intensitet, i cili është dukshëm i lartë dhe me një egërsi të pashpjegueshme, për atë shkallë acarimi të pretenduar prej tij", thuhej për Cuhllajn në kërkesën për gjykim. Ngjarja për të cilën akuzohet Cullhaj është regjistruar ditën e fundit të vitit 2009. Sipas prokurorisë, më datë 25 dhjetor, Grori, banues në Tiranë kishte ikur në fshatin Grore të Komunës Pezë, ku kishte disa toka të vetat. Ditën e ndërrimit të viteve, ai nuk u kthye në familjen e tij, e cila humbi çdo kontakt me të. Kërkimet e familjarëve për të nuk kanë dhënë rezultat. Ditë më pas, me angazhimin edhe të policisë, trupi i të moshuarit u gjet i pajetë me plagë të shumta në trup e kryesisht në fytyrë. Hetimet pas ngjarjes cilësuan Cullhajn si të dyshuarin kryesor, pasi më parë ai kishte pasur disa konflikte me viktimën për një truall. Para oficerëve të policisë gjyqësore, Cullhaj pranoi që ditën e 31 dhjetorit 2009 kishte goditur me një shkop një herë të vetme në kokë të moshuarin. Sipas Cullhajt, këtë e kishte bërë në gjaknxehtësi e sipër, pasi ishte ofenduar rëndë prej tij. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›