E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, dyndje për pasaportat biometrike



GJIROKASTER - Dyndja e emigrantëve në Gjirokastër ditët e fundit me rastin e Pashkës Ortodokse, ka sjellë radhë të shumta në zyrën e aplikimeve të pasaportave dhe kartave biometrike. Rreth 100 aplikime në ditë janë shënuar dy ditët e fundit në Bashkinë e Gjirokastrës, duke rritur ndjeshëm kërkesat për pajisjen me dokumentet e reja identifikuese. Duket se interesimi ka qenë maksimal për kategorinë e emigrantëve që kanë ardhur ditët e fundit në rajonin jugor. Ndonëse punonjësit e zyrës së aplikimeve kanë qenë të përgatitur për një volum të madh të pritshëm kërkesash për t'u pajisur me dokumente, autoritetet shtetërore nuk kanë marrë masa për shtimin e personelit, duke krijuar në këtë mënyrë konfuzion tek qytetarët. Vetëm një kompjuter me dy punonjës me dy turne është gjithçka në shërbim të të interesuarve. Megjithëse premtimet nga institucioni i prefektit për shtimin e personelit në ditët me fluks, dy ditët e fundit, nuk është parë një gjë e tillë. Njerëz që rrinë në radhë nga 4-5 orë dhe ankesa të vazhdueshme karshi autoriteteve është ajo që ndesh përditë në këtë zyrë, ndërkohë që asnjë lloj mase paraprake nuk është ndërmarrë. Përveç radhëve të gjata disa orësh, dje është shtuar edhe ndërprerja e energjisë elektrike në zyrën e aplikimeve duke shtuar ndjeshëm zemërim tek qytetarët e ardhur. Korrenti ka ikur në orën 08:00 dhe ka mbërritur aty nga ora 11:00, por askush nga autoritetet e OSSH, nuk paralajmëroi pezullimin për këtë periudhë kohore të energjisë elektrike. Qytetarët e mbledhur në radhë për pasaporta biometrike dhe karta identiteti, ka apeluar për seriozitet dhe përgjegjshmëri nga ana e strukturave që merren me pajisjen e qytetarëve me dokumentet e reja identifikuese. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›