Tregoi tri vrasjet e Aldo Bares, mbrojtje dëshmitarit
Trazhgim Sokolaj
Komisioni i Përbashkët i Ministrisë së Brendshme dhe Pro-kurorisë së Përgjithshme po shqyrton dhënien e statusit të "dëshmitarit të dre-jtësisë" për Gramoz Selmanin, personin që tri ditë më parë tregoi në gjykatë, të paktën tri vrasje të kryera nga banda e Lushnjës. Procedura e përfshirjes së Gramoz Selmanit në kategorinë e dëshmitarëve të drejtësisë, filloi pas kthimit të tij nga Greqia me dëshirë, dhe paraqitjes në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin kundër të akuzuarve të bandës së Lushnjës. Sipas ligjit, propozimi për marrjen e masave të posaçme mbrojtëse, konkretisht strehimi, mbrojtja fizike dhe një sërë elementësh të tjerë, janë propozuar nga Prokuroria e Përgjithshme, ndërsa Komisioni do të vlerësojë rëndësinë e dëshmisë dhe rrezikshmërinë që i kanoset dëshmitarit, për të vendosur më pas nëse do t'i japë statusin. Para se të paraqitej në Gjykatë, mësohet se Gramoz Selmani është kthyer nga Greqia dhe fillimisht është paraqitur në policinë gjyqësore me një dokument identifikimi, duke pohuar se ishte thirrur si dëshmitar në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Policia gjyqësore menjëherë njoftoi prokurorinë dhe në seancën e datës 1 prill 2010, Gramoz Selmani u paraqit në gjykatë. Ai tha se ishte kthyer me dëshirën e tij nga Greqia, pas një qëndrimi të gjatë atje si emigrant prej vitit 1997. Pasi bëri verifikimin e identitetit dhe konfirmoi praninë e tij në listën e dëshmitarëve të Prokurorisë, gjykata kërkoi dhënien e deklarimeve në seancë nga Gramoz Selmani. Ai shpjegoi ngjarjen e ndodhur në Lushnjë në momentin e vrasjes së shtetasit Genci Kashari. Ky i fundit ndodhej në tavolinë me Artur Dajën, në momentin kur anëtarët e Bandës së Lushnjës u afruan me një makinë tip Audi, dhe qëlluan me armë. Për pasojë, sipas dëshmisë së Gramoz Selmanit, Genci Kashari u vra, ndërkohë në të njëjtën ngjarje ndodhi episodi kriminal që do të pasohej me shumë krime të tjera në Lushnje. Vëllai i Aldo Bares, shtetasi Ramadan Shkurti kishte mbetur i plagosur në makinë, ndërkohë që u qëllua me armë në kokë dhe u vra nga Artur Daja. Prej këtij momenti, Aldo Bare (Alfred Shkurti) vendosi të fuqizojë grupin e tij me qëllimin e vetëm, hakmarrjen për vrasjen e vëllait të tij. Ndërkohë krimet për të cilat dëshmoi Gramoz Selmani në Gjykatën e Krimeve të Rënda, vijuan me vrasjen e Nimet Zenelit. Dëshmitari tregoi me emra anëtarët e bandës së Lushnjës, që kishin marrë pjesë në këtë krim (Arben Boriçi, Ilir Stërgu). Dëshmia e Gramoz Selmanit vijoi më pas me rrëfimin e vrasjes së Masar Aliut, i cili ishte ekzekutuar sipas dëshmitarit, nga anëtarë të bandës së Lushnjës, pak ditë pas vrasjes së Nimet Zenelit.