E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Në 2009 humbën punën 20 mijë vetë



Partia Socialiste akuzoi dje Qeverinë se po fsheh të vërtetën e krizës ekonomike në vend. Deputeti Ilir Beqja tha dje gjatë një komunikimi për mediat se të dhënat e ekonomisë mungojnë nga burimet zyrtare dhe nuk bëhen publike, me qëllim fshehjen e të dhënave. “Vetëm në 2009 humbën punën 20 mijë vetë, askush nuk thotë se si do rikuperohen”, u shpreh ai. Deputeti socialist tha dje se të dhënat e ekonomisë po mbahen të fshehura, ndërsa të dhënat e fundit, të deklaruara nga Ministri i Financave, i përkasin muajve shtator-nëntor 2009. “Ka disa muaj që çfarë ndodh me ekonominë e vendit mbahet e fshehur, ashtu si mbahet i fshehur në kutitë e Ruzhdijes vullneti i shqiptarëve. Dhe mbahet e fshehur sepse, pasi i vodhi votat, Qeveria e Sali Berishës po vjedh edhe në xhepat e shqiptarëve, pa dalluar askënd: sipërmarrës të madh, të mesëm apo biznes të vogël, fermer apo shitës ambulant, punëtorë apo të papunë, invalid apo pensionist”, u shpreh Beqja. Sipas tij, të dhënat zyrtare bazuar në sitet e institucioneve tregojnë për një 2010 të zymtë ekonomike dhe financiare. “Importi i makinerive dhe pajisjeve ka rënë me ¼; importi i materialeve të ndërtimit dhe metaleve ka rënë me 1/5; kredia afatmesme për investime në linja prodhimi ka rënë, është shtuar vetëm kredia për kapital qarkullues, pra për të paguar paga e detyrimeve, sepse Ministri i Financave e shkeli edhe premtimin publik se deri në fund të shkurtit do të likujdonte të gjitha detyrimet ndaj sipërmarrësve që punojnë në punë publike, kreditë e këqija kanë arritur 11.5 % të portofolit të kredive”, u shpreh Beqja. Sipas tij, Qeveria, pa dyshim që i di këto të dhëna, por i fsheh qëllimisht dhe kurajon për t’i fshehur e gjen te fakti se është e ngritur mbi vota të vjedhura dhe të trafikuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›