E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet nga ura 70 m, vdes punëtori



Urat e autostradës Durrës-Morinë marrin jetën e punëtorit të tretë brenda pak muajsh. Përparim Gjonaku, 36 vjeç nga Librazhdi gjeti vdekjen në mënyrë tragjike mesditën e djeshme, pasi ra nga një lartësi prej 70 metrash. Ngjarja ndodhi 3 km larg qytetit të Kukësit, në segmentin Kolsh-Myç Mamëz, ku po ndërton firma "Alb-Building". Burime të policisë dhe nga vendi i ngjarjes thanë se viktima, hekurkthyes, rrëshqiti kur ka vënë këmbën në një llamarinë që ishte vendosur mbi dy kolonat e betonit të trasesë së urës. Ajo ka rrëshqitur, duke shkaktuar rënien e punëtorit poshtë këmbëve të urës, shumë pranë ujërave të liqenit. Dhënia e ndihmës së parë nga shokët e punës ka qenë e kotë, pasi rrëzimi nga lartësia në një masiv gurësh e kanë bërë të pashmangshme vdekjen e 36-vjeçarit. Në vendngjarje kanë shkuar forca të policisë të cilat janë gjendur dhe përballë reagimit revoltues të shokëve të viktimës që janë ankuar për kushtet e sigurisë dhe mungesës së ndihmës së shpejtë. Pas ekspertizës, trupi i viktimës është dërguar në murgun e spitalit të qytetit nga kolegët e tij më një kamionçinë të punës. Të dhënat e para flasin për vdekje aksidentale, e cila është shkaktuar nga moszbatimi i rregullave të sigurisë në punë. Sipas të dhënave të policisë viktima nuk ka pasur kaskën në kokë dhe rripin e sigurimit, të cilat edhe nëse do t'i kishte nuk do ta shpëtonin dot nga lartësia e madhe. Ekspertët thanë se llamarina, duhet të ishte vënë mbi një bazament të fortë që të mos rrëshqiste. "Ishte duke kaluar nga binari në binar dhe sapo ka vënë këmbën në llamarinë ka rrëshqitur. Njëri prej punëtorëve, i afërm i tij i ka dhënë dorën, por nuk ka mundur ta mbajë. E pashë kur ra nga maja e urës. Kur e gjetëm poshtë pa jetë, në njërën dorë mbante bukën e në tjetrën një darë. Ishte njeri i mrekullueshëm dhe kishte ardhur nga Librazhdi bashkë me disa të tjerë", tregon me lot në sy një prej shokëve të punës që ka parë tragjedinë me sy. Viktima Gjonaku ishte nga Qukësi i Librazhdit. Prej disa muajsh punonte në firmën që ka segmentin në pjesën pas tunelit të Kalimashit. Bashkë me disa bashkëfshatarë të tij ishte punësuar në Kukës, duke punuar si hekurkthyes. Ata jetonin fare pranë vendit të punës, në një shtëpi të fshatit, të marrë me qira. Segmenti Kolsh-Myç Mamëz është segmenti më i vështirë i autostradës Durrës-Morinë dhe një ndër të prapambeturit. Ngjarja e djeshme u shënua në urën nr.6, pranë vendit ku ndodhi dhe aksidenti i parë me dy viktima.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›