SHBA kritikoi mbipopullimin, burgjet: Gati 7 godina të reja
TIRANE - Qeveria shqiptare ka planifikuar ndërtimin e shtatë burgjeve të reja me qëllim uljen e mbipopullimit në qelitë shqiptare. Dy javë pas publikimit të raportit të Departamentit të Shtetit mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve tha dje se mbipopullimi ka ardhur në rënie. Pesë burgje të reja janë ndërtuar ndërsa janë në proces është shtatë të tjera. "Mbipopullimi u trajtua si problem edhe në disa qeli të regjimit të grave tek burgu 313 në Tiranë. Sipas raportit të DASH "mbi 4 gra mbaheshin në një qeli, përmasat e së cilës ishin 7 m2. Ky është i vetmi institucion paraburgimi në vend në të cilin mbahen gratë e paraburgosura", tha drejtori i burgjeve. Ai pranoi se gjatë vitit 2009 ka pasur raportime për situata të pakëndshme në burgje, si rasti i burgut të Burrelit apo ai i Korçës, për sjellje të pahijshme të administratës ndaj personave të izoluar si dhe për abuzime seksuale ndaj të miturve (një rast i denoncuar dhe i pa provuar në burgun e Korçës). Raporti i DASH, theksoi se për të ulur mbipopullimin, Qeveria hapi 5 burgje të reja gjatë vitit dhe në muajin prill miratoi ligjin për hyrjen në fuqi të shërbimit të provës, ku i dha mundësinë personave që kanë kryer krime të lehta të lirohen me kusht. Afërsisht 80 të dënuar përfituan nga ky program. Një tjetër konstatim i DASH, ishte se në burgun e Korçës dhe paraburgimin e Durrësit të miturit mbaheshin në të njëjtin ambient me të rriturit. Më tej në raport thuhej se gjatë vitit 2009 filluan proceduarat disiplinore për sjellje të pahijshme për 186 roje burgu dhe oficerë. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve tha se gjatë vitit 2009 u trajnuan rreth 1020 punonjës për shmangien dhe parandalimin e rasteve të tilla.