E Diel, 1 Nëntor 2026

Festa e lakrorit, turistët shijojnë traditën korçare



KORçE/ GEZIM ASHIMI

Sezoni turistik i verës në qytetin e Korçës ka një larmi aktivitetesh të bazuara te tradita. Një prej tyre është festa e lakrorit, e cila zhvillohet në pikun e sezonit turistik dhe mbyllet me festën madhështore të “Birra Korça”. Mbrëmja e së shtunës, mblodhi në ambientet e parkut “Rinia” të qytetit të Korçës qindra banorë, vizitorë, por edhe turistë të huaj. Festa e lakrorit që zhvillohet për të tretin vit radhazi në Korçë organizohet nga bashkia, për t’i dhënë sa më shumë jetë e kënaqësi banorëve dhe vizitorëve të ndryshëm. Lakrori me dy petë, i pjekur në saç, ekspozon traditën e hershme të qytetit të Korçës dhe rrethinave të tij si Polena, Boboshtica, Dardha etj. Ky produkt, që tashmë është një tërheqje e veçantë për vizitorët e turistët, është kthyer në një festë të veçantë, që mban gjallë e përtërin traditën e gatimit të zonës. Amvisat korçare, por edhe ato të ardhura nga fshati, mes zjarreve dhe tavolinave gatuajnë brumin dhe përgatisin lakrorë me dy petë të pjekur në saç. Qytetarët dhe turistët shijojnë në këtë festë jo vetëm atë çfarë gatuajnë amvisat korçare, me gjellë nga më të ndryshmet, por kanë kënaqësinë të shikojnë me sytë e tyre se si përgatiten dhe piqen lakrorët e famshëm të Korçës. Më shumë se 200 lakrorë u përgatitën dhe u poqën mbrëmjen e së shtunës dhe më pas u tregtuan për ata që nuk mund t’i shpëtonin tundimit për t’i provuar atje, midis tavolinave në natyrën e bukur të parkut “Rinia”. Festa filloi rreth orës 18:00, për të vazhduar deri në mbrëmje vonë, nën tingujt e serenatave dhe freskisë së parkut. Këtë vit u vu re një numër edhe më i madh qytetarësh korçarë, vizitorësh dhe turistësh, sesa vitet e kaluara. Amvisat jo vetëm nga qyteti, por edhe nga Polena dhe Boboshtica, gatuan pa u lodhur në natyrë lakrorët, të cilët u shijuan nga qytetarët. Ishin afro 35 amvisa, të ndihmuara edhe nga burrat e tyre që punuan me brumin dhe gjellën, për të pjekur më pas nën saç lakrorin me dy petë dhe me gjellë të shijshme të llojeve të ndryshme. Edhe pse vetë qytetarët korçarë e kanë traditë gatimin e lakrorit me dy petë, tashmë ata marrin pjesë masivisht në këtë festë, një nga më të rëndësishmet e sezonit turistik që u ofron edhe vizitorëve vlera të traditës dhe kulinarisë korçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›