Festa rrezikon të kthehet në tragjedi
Kombëtarja kroate nuk e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme qëndrimin e saj në Austri, pasi një festë e organizuar nga federata për tifozët në lokalitetin Bad Tatzmansdorf, për pak është kthyer në tragjedi. Kampi stërvitor ishte hapur për të gjithë tifozët, në mënyrë që këta të përshëndetnin idhujt e tyre. Por, dëshira e tifozëve për të parë nga afër lojtarët ka bërë që plani të dështojë, pasi rreth 1 mijë persona janë vërsulur mbi platformën ku po prezantoheshin lojtarët. Policia ka ndërhyrë për të ndalur më të dhunshmit, ndërsa festa është ndërprerë, pasi lojtarët janë arratisur me autobusin e tyre. Por, askush nuk e ka vënë re fillimisht mungesën e mesfushorit Ivan Rakitiç, i cili ishte mbajtur peng nga turma. Është dashur një ndërhyrje e dytë e forcave policore dhe rojeve të sigurisë që Rakitiç të largohej nga tifozët. Në një situatë të tillë, drejtuesit e federatës kroate i kanë anuluar të gjitha festat e tjera të planifikuara, ndërsa po mendojnë të zhvillojnë çdo stërvitje pa tifozë.