E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marko Van Basten, optimist: Jam gati të rishkruaj histori

Marko Van Basten është shumë optimist para fillimit të EURO 2008, ndonëse rruga që skuadra e tij do të përshkojë në këtë turne nuk është nga më të lehtat. Për këtë arsye, ai beson se me pak fat "tulipanët" mund ta fitojnë trofeun që i mungon prej 20 vitesh. "Nëse do ta nisim mirë, atëherë mund të ecim shumë në këtë turne. Objektivi ynë i parë është të kalojmë fazën në grup, e cila, në vetvete, përbën një detyrë shumë të vështirë. Por, nëse ia dalim mbanë, me pak fat mund të arrijmë deri në fund", u shpreh ai. Janë të paktë holandezët që mund të përshkruajnë triumfet në Kampionatin Evropian, ashtu siç bën Marko Van Basten, i cili e ka fituar këtë trofe si lojtar në vitin 1988. Nëse gjërat shkojnë mirë dhe Holanda fiton EURO 2008, ai do të hyjë në histori si i pari që e ka fituar Kampionatin Evropian si lojtar dhe trajner. "Nuk e dija një gjë të tillë, por tani që ma treguat do të jem edhe më i motivuar për të dhënë maksimumin", vijoi Van Basten.

Por, ish-sulmuesi legjendar tashmë duhet të mendojë se si të përforcojë pikërisht repartin e avancuar të kombëtares që drejton. Ndonëse në përbërje ka disa nga sulmuesit më të mirë të Evropës, Holanda ka shfaqur vështirësi në gjetjen e rrugës së rrjetës, duke shënuar vetëm 15 gola në 12 ndeshjet e eliminatoreve, 11 më pak se Rumania që zuri vendin e parë në grup. "Ne nuk shënuam shumë në eliminatore, por kjo nuk do të thotë se nuk krijuam raste. Shënimi mund të jetë me raste çështje fati. Ka momente kur golat vijnë me lehtësi, ndërsa ka momente të tjera kur ndërton pesë raste, por nuk shënon. Ne nuk kemi qenë me fat deri tani", u shpreh Van Basten, i cili ka filluar që tani të mendojë se cilët prej sulmuesve do të hedhë në fushë si titullarë për takimet përballë Italisë, Francës dhe Rumanisë. Një armë më shumë për të do të jetë përshtatja e shpejtë e skuadrës me skemën e re taktike 4-2-3-1, e cila u modifikua nga ajo 4-3-3 që Holanda ka përdorur prej shumë vitesh.

Koha më e mirë për të treguar vlerat do të jetë më 9 qershor, në ndeshjen kundër Italisë, që u shpall Kampione Bote dy vite më parë në Gjermani 2006. "Kur unë pashë shortin, mendimi i parë ishte që do të preferoja të gjendesha në një grup tjetër. Ne duhet të luajmë kundër dy skuadrave që u ndeshën në finalen e Kampionatit Botëror, ndaj kemi përpara një detyrë të vështirë", tregoi Van Basten, i cili nga data 1 korrik do të lërë postin e tij në kombëtaren holandeze për t‘iu dedikuar skuadrës së Ajaksit. Ndoshta kjo është arsyeja kryesore pse ai kërkon që të fitojë medoemos diçka të rëndësishme me përfaqësuesen. "Të fitoj turneun do të ishte diçka e mrekullueshme, por jo vetëm për faktin se unë do të largohem nga drejtimi i kombëtares. Në cilëndo situatë, të fitosh është gjëja më e rëndësishme", deklaroi Marko Van Basten.

Deklarata

Shnajder: Italia, e terrorizuar nga ne

Mesfushori i Holandës, Uesli Shnajder, beson se Italia është e "terrorizuar" nga fakti që do të ndeshet me "portokallinjtë" në takimin e tyre të parë në Grupin C. Debutimi i kampionëve të botës në "Grupin e hekurt" të Euro 2008 do të jetë të hënën e ardhshme pikërisht kundër holandezëve, një prej pretendentëve për të triumfuar. 23-vjeçari që luan me Realin e Madridit këmbëngul se "tulipanët" nuk kanë aspak frikë përpara fillimit të evenimentit në Austri dhe Zvicër. Ndër të tjera, Shnajder ka deklaruar se skuadra e drejtuar nga Van Basten nuk ka asnjë arsye që t‘i trembet Italisë, por edhe skuadrës tjetër të madhe që kanë në grup, Francës. "Mund t‘i kalojmë këta kundërshtarë", tha ai për revistën "Sportweek". "Nuk duhet t‘i mbivlerësojmë shumë kundërshtarët tanë. Asnjëherë Holanda nuk ka shfaqur për rivalet e saj më shumë respekt sesa ata meritojnë. Shiko italianët, edhe ata na e kanë frikën. Madje, duhet të jeni të sigurt për këto që po ju them. Ata janë të terrorizuar. Në të njëjtën mënyrë ndihen edhe francezët. Jam i sigurt se ata duhet të jenë shumë mirë të përgatitur përpara se të ndeshen me ne". Mesfushori mendon gjithashtu se në ndeshjet e Kampionatit Evropian nuk ka diferencime ndërmjet skuadrave dhe disa rezultate mund të vendosen nga episodet. "Diferenca në aktivitete të tilla është shumë e vogël", vazhdoi Shnajder. "Shumë ndeshje vendosen nga detaje, që në dukje janë fare të vogla, e në disa raste edhe prej episodeve fatlume. Gjëra të tilla ndodhin edhe në Ligën e Kampioneve. Mendoj se skuadrat e mëdha janë shumë pranë njëra-tjetrës: të gjitha luajnë mirë taktikisht, teknikisht dhe janë të forta fizikisht. Jemi mes skuadrave më të mira, pra kemi shanse për të fituar".

Besimi

Në 50 evenimente që ka marrë pjesë, "Furia e Kuqe" nuk ka triumfuar asnjëherë

Inesta: Ky, viti kur Spanja do të

heqë reputacionin si skuadër humbëse

Mesfushori i Spanjës, Andres Inesta, beson se ky është viti i përshtatshëm që më në fund përfaqësuesja iberike të largojë reputacionin si humbëse në aktivitetet ndërkombëtare. "Furia e Kuqe" njihet ndryshe edhe si "zhgënjimi" i futbollit evropian, pasi ata kanë marrë pjesë në 50 evenimente madhore, por nuk kanë arritur të triumfojnë asnjëherë. Kjo, pavarësisht faktit se përpara çdo turneu ata janë mes favoritëve dhe kanë një prej kombëtareve me të talentuara. Për Inestën, më në fund ky etiketim mund të hiqet në vitin 2008, pasi Spanja beson te suksesi. Për "Suddeustche Zeitung", ai tha se dëshiron që "në fund të aktivitetit askush të mos e pyesë përse Spanja nuk fiton asnjëherë asgjë". Gjithsesi, lojtari i Barcelonës pranon se dështimet me dinjitet duket se janë në traditën e Spanjës. "Ka një mijë shpjegime përse të gjithë ndihen të zhgënjyer rreth kësaj skuadre", pohoi ai. "Në moshën 10-vjeçare ndoqa Botërorin tim të parë: gjatë USA ‘94 ngulesha përpara televizorit. Aty pashë një imazh që nuk e kam harruar kurrë: Luis Enrike duke dalë nga fusha pas çerekfinaleve, fytyra e tij ishte e lidhur me një fashë të gjakosur pas një faulli që i kishin shkaktuar lojtarët e Italisë". (Inesta i referohet incidentit, ku Luis Enrike u ça në fytyrë nga një bërryl i Tasotit. Më vonë, lojtari "axurr" u dënua me 8 ndeshje pezullim për episodin, që në fushën e lojës nuk u pa nga gjyqtarët, të cilët nuk akorduan 11-metërsh për spanjollët). "Fytyra e tij përmblidhte gjithçka rreth atij që ishte një Botëror i mirë, por që në fund përfundoi në të njëjtën mënyrë (humbje me rezultatin 2-1). Gjithmonë kemi pasur mundësi të bënim diçka më shumë për të fituar, por kjo nuk është bërë e mundur për një arsye, apo për një tjetër". Në fund, Inesta tha: "Gjithmonë përsëritet e njëjta histori: kemi një skuadër të mirë dhe ndiejmë se mund të fitojmë. Në skuadrën aktuale ka lojtarë që kanë fituar tituj me kombëtaret e moshave, por kur vijnë në përfaqësuesen ‘A‘ nuk arrijnë të bëjnë asgjë. Një ditë kjo do të ndryshojë. Besoj se çelësi i suksesit në Euro 2008 do të jetë mbajtja e topit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›