E Diel, 1 Nëntor 2026

Zimbabve, trupat e Presidentit Mugabe burgosin liderin e opozitës

Forcat e policisë të Zimbabvesë kanë ndaluar liderin e opozitës vendase Morgan Tsvangirai në prag të fushatës zgjedhore presidenciale që do të zhvillohet në fund të muajit. Së bashku me liderin u vunë në pranga edhe një grup me 14 mbështetës së liderit të opozitës. Edhe pse nuk është bërë e ditur asnjë akuzë për të ndaluarit, nuk është dhënë asnjë lloj deklarate nga ana e forcave të policisë, që mbështesin Presidentin aktual e të shumëkontestuar të vendit, Mugabe. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, sigurisht që bëhet fjalë për një arrestim me motive të qarta politike. Në fjalimin tij të fundit, lideri i opozitës kishte bërë të ditur se Mugabe ishte në gjendje që të shndërronte të gjithë vendin në një zonë lufte vetëm e vetëm që të fitonte sërish në zgjedhjet presidenciale, duke thyer dhe nëpërkëmbur vullnetin e popullit. Lideri i opozitës u largua nga vendi pas votës së 29 marsit dhe e vonoi rikthimin tij deri muajin e kaluar, pas lajmërimeve se ishte vënë në shënjestër të terroristëve politikë të Mugabes. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, mbështetësit e opozitës janë keqtrajtuar, vrarë e masakruar gjatë fushatës së zgjedhjeve të para dhe një persekutim i egër po vazhdon edhe sot e gjithë ditën në vend. Pas gjithë kësaj situate të rëndë ndodhet dora e Mugabes, Presidentit 84-vjeçar të vendit, që ndodhet në pushtet që në ditën e parë të pavarësisë së tij, e shpallur në vitin 1980. Pikërisht në këtë vit, Britania e Madhe u largua nga shteti afrikan pas periudhës kolonialiste. Gjatë gjithë kësaj periudhe të vështirë postzgjedhore, ekonomia e vendit të varfër është shkatërruar tërësisht, duke e shtuar varfërinë dhe duke e zhvleftësuar monedhën vendase.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›