Festat, Topi pret në presidencë nxënësit e dalluar

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, pritën në Presidencë me rastin e festës së Vitit të Ri 2011, fëmijë të talentuar dhe nxënës të dalluar me rezultate shumë të mira të shkollave 9-vjeçare të Tiranës, të Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe të Shkollës Kombëtare të Koreografisë.
Fillimisht, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u përshëndetën përzemërsisht me të gjithë fëmijët e pranishëm, të cilët shprehën emocionet e tyre në këtë ditë të shënuar për ta. Në një atmosferë të gëzueshme festive, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u shpërndanë fëmijëve dhurata simbolike.
Më pas u shfaq një program i shkurtër artistik të përgatitur me këtë rast, me pjesë të zgjedhura baleti, këngë, recitime e interpretime në instrumenta muzikorë, i cili u ndoq me shumë interes nga Kreu i Shtetit dhe Zonja e Parë, si dhe fëmijët e tjerë të pranishëm së bashku me mësuesit e tyre.