E Diel, 1 Nëntor 2026

Festat dobësojnë euron, emigrantët vendosin ti shpenzojnë paratë në vend

Ervin KOÇI

Megjithëse nuk pritej, ardhja e emigrantëve gjatë javëve të fundit në vend, ka bërë që të rriten edhe prurjet valutore. Kriza ekonomike kishte bërë që parashikimet e ekspertëve të ekonomisë të ishin krejt të zymta për këtë fundvit, por sërish shqiptarët nuk e kanë harruar traditën e vjetër. Dëshira e shumë emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, për të kaluar festat në vendlindje bashkë me familjet ka bërë që, bashkë me prurjet valutore të rritet dhe ndikimi i monedhës vendase në treg. Kështu, monedha e përbashkët evropiane e ka gjetur veten në kuotat më të ulëta të dy muajve të fundit dhe shkak për këtë mendohet të jetë prezenca e lartë e emigrantëve që kthehen për pushime në vendin e tyre. Edhe pse nuk ka shifra për nivelin e hyrjes së valutës euro në tregun tonë, tendenca dhe historiku vërteton se luhatjet janë nga prania e madhe e emigrantëve, të cilët shpenzojnë për të afërmit apo dërgimin e të hollave për dhurata. Rënia e vlerës së euros në treg ka bërë që nga ana tjetër, pikë të fitojë monedha e gjelbër amerikane, duke bërë që kuotimi i dollarit të jetë pozitiv.

Vlera e dollarit

Jashtë të gjitha parashikimeve, monedha e gjelbër amerikane ka nisur të fitojë pikë në tregun shqiptar të këmbimit valutor. Sipas tregut të kursit të këmbimit, dje 1 dollar është shitur për mbi 95 lekë (shumë pranë 96 lekëve), niveli më i lartë i tetë muajve të fundit.
Ndërkohë, në tregjet valutore, duke filluar nga fundi i muajit qershor, euro është forcuar në lidhje me dollarin amerikan, prirje që është theksuar më shumë gjatë muajit shtator. Supozimet e agjentëve të tregut, në një pjesë të konfirmuara nga dobësia e disa prej sektorëve të ekonomisë amerikane, kanë ndikuar në dobësimin e dollarit amerikan. Euro gjithashtu është vlerësuar në lidhje me sterlinën angleze dhe ndaj grupit të monedhave të tjera europiane. Në nivel tremujor, euro është vlerësuar mesatarisht me 4.93 për qind ndaj dollarit amerikan, ndërkohë që në fillim të muajit tetor 2009, 1 euro vlerësohej me 1.46 dollarë.

Remitancat

Edhe pse me prezencë të lartë në vendin e tyre, dërgesat e emigrantëve gjatë 3-mujorit të tretë kanë shënuar një rënie të theksuar, duke rënë me rreth 28.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. E përkthyer në vlera, llogariten rreth 200 milionë euro më pak dërgesa në krahasim me vitin 2008. Një vit më parë, u regjistrua një rënie e dërgesave me rreth 13 për qind, rënie kjo që ishte paralajmëruar nga ekspertët e ekonomisë. Një pjesë e të ardhurave të emigrantëve shkon për shpenzime konsumi nga të afërmit familjarë, kurse një pjesë e vogël për zhvillim biznesi të vogël. Ditët e fundit janë vërejtur flukse të mëdha emigrantësh, kryesisht në pikat kufitare të Jugut, Kapshticë dhe Kakavijë, por edhe në Portin e Durrësit. Mendohet se në ditët e fundit, me rastin e festave kanë hyrë në vendin tonë rreth 100 mijë emigrantë.

Progresi ekonomik, Kina pritet që t’i zërë vendin Japonisë

Nëse Kina do të vazhdojë të hedhë ritmet aktuale që ka në ecurinë e ekonomisë së saj, atëherë me siguri që së shpejti do të renditet si ekonomia e dytë më e fuqishme në botë. Një fakt të tillë e pohojnë ekspertët ndërkombëtarë të ekonomisë, sipas të cilëve treguesit ekonomikë që raportohen nga Kina premtojnë që ajo shumë shpejt t’i zërë vendin Japonisë si vendi i dytë për ekonominë në botë. Sipas tyre, është fakt se ekonomia e Kinës po njeh përparime dhe rezultate të mëdha, kjo referuar të dhënave të fundit të konfirmuara nga qeveria e këtij vendi. Ekspertët thanë se, shifra për rritjen ekonomike e vitit 2008 rezultoi 9,6 për qind, duke shtuar se në radhë të parë rritje të madhe ka shënuar sektori i shërbimeve. Në tre 3-mujorët e parë të këtij viti ekonomia kineze u rrit me 7,7 për qind, duke pasur një pritshmëri për rritje të mëtejshme në të ardhmen.

Prindërit britanikë, 22 për qind marrin para hua nga fëmijët

Jo vetëm fëmijët mund tu marrin lekë prindërve, por edhe këta të fundit mund tu kërkojnë borxh atyre. Kjo gjë duket se është bërë praktikë e zakonshme këtë vit në Mbretërinë e Bashkuar, ku rreth 22 për qind e prindërve britanikë kanë pohuar se, gjatë këtij viti kanë marrë para borxh të kursyera nga fëmijët e tyre të detyruar nga kriza. Ata kanë parë si rrugë shpëtimi pikërisht kasat e kursimit të fëmijëve të tyre, për të paguar faturat, apo edhe për të mbuluar shpenzimet e paparashikueshme. Sipas rezultatit të një studimi të bërë nga institutet ekonomike angleze, rreth 44 për qind e këtyre prindërve kanë thënë se “nga arkat e fëmijëve të tyre kanë marrë hua nga 200 deri në 500 paund”. Një pjesë e tyre kanë thënë se këto para i kanë marrë për të paguar faturat, ndërsa pjesa tjetër, për të riparuar prishjen e makinës, për ndonjë udhëtim të paparashikuar, për riparime në shtëpi, ose edhe për dhurata të Krishtlindjes.

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›