E Diel, 1 Nëntor 2026

Taksat e 2010-s: Qeveria synon ti rrisë, bizneset paralajmërojnë bojkot

Ervin KOÇI

Fundi i vitit 2009 po i gjen kompanitë e biznesit në vend në një situatë tepër të vështirë ekonomike. Shumica e tyre kanë shpallur falimentin, në një kohë që mjaftë të tjera janë të dilemë nëse do ta vazhdojnë aktivitetin edhe gjatë vitit 2010 apo jo. Kësaj pasigurie i shtohet edhe vendimi i qeverisë për të rritur një pjesë të taksave dhe tatimeve, që rëndojnë direkt mbi aktivitetin dhe fitimet e biznesit. Por pavarësisht ankesave të tyre, qeveria duket se ka programuar qartë një rritje taksash për vitin 2010, duke ua bërë “de fakto” shtesat me kalimin që i ka bërë disa projektligjeve në Kuvend. Ditët e fundit, komuniteti i biznesit është habitur kur pa se në Kuvend po miratohej ndryshimi i projektligjit "Për procedurat tatimore". Rreth dy javë më parë, Ministria e Financave kishte kaluar për mendim në Këshillin Konsultativ të Biznesit katër projektligje, atë "Për akcizat", "TVSH"-në, "Tatimi mbi të Ardhurat", si dhe "Lojërat e Fatit", kurse "Procedurat tatimore", ligji kryesor fiskal në vend u shmang nga diskutimet, duke kaluar direkt për votim në Kuvend. Pikërisht kjo sjellje aspak transparente solli reagimin e bizneseve, që janë anëtare të Këshillit Konsultativ, organizëm që varet nga Ministria e Ekonomisë. Nga Ministria e Financave nuk jepet asnjë reagim, kurse bizneset e kategorive të ndryshme shprehen të shqetësuar për mungesën e komunikimit me qeverinë. Ndërtuesit janë njohur me projektligjin përmes medieve dhe po ashtu edhe industrialistët e tekstileve. Të dy këta sektorë kanë të punësuar mbi 300 mijë vetë dhe ndryshimi i papritur i ligjit mund t‘i rrezikojë situatën ekonomiko-financiare.

Projektligji

Aq shumë i diskutuar dhe i ndryshuar disa herë brenda dy viteve nga hartimi i tij, projektligji "Për procedurat tatimore" konsiderohet si “Kushtetuta” e taksave në vend, pasi mbart rreth 130 nene dhe përcakton formën e taksimit, deklarimit, rolin e tatimorit, biznesit, si dhe më kryesore ka të parashikuara të gjitha format e gjobave. Ndryshimet në projektligj të miratuara një javë më parë parashikojnë procedura të rëndësishme për aktivitetin e biznesin. Duke marrë shkas nga situata jo e mirë e vendosjes së kasave fiskale, me ligjin e ri qeveria vendosa gjoba të rënda. Po ashtu në projektligj është roli i strukturës së hetimit tatimor, si dhe është shtuar një pikë rreth procedurës që duhet të ndjekë tatimori për rastet kur dyshon se biznesi punon me dy bilance.

Ankesat

Dy ditë më parë, tre organizmat e biznesit, Dhoma e Tregtisë, Shoqata e Ndërtuesve dhe Fasonët lidhën një marrëveshje bashkëpunimi mes tyre. Përveç Dhomës së Tregtisë, e cila vazhdon të thotë se "bashkëpunimi i qeverisë është në nivele të kënaqshme", të tjerët ankohen se klima nuk duket aspak pozitive. Dhoma e Prodhuesve të Veshjeve, e cila mban një pjesë të popullsisë në punë, kryesisht e varfra, deklaron se kalimi i ligjeve pa u konsultuar më parë, i vë përpara një rreziku të madh. Ata ndiejnë se nga qeveria nuk po marrin ndihmën e duhur. Në të njëjtën linjë janë edhe ndërtuesit, madje në disa raste më radikalë. Sipas tyre, prej dy vitesh nuk ka asnjë linjë komunikimi për vetëm vendime në dëm të tyre. Ata kanë vendosur një afat, që është 15 janari për t‘i dhënë zgjidhje disa problemeve, në të kundërt do të marrin masa greve. Edhe komunitetet e tjera janë kundër qëndrimit të qeverisë. Ajo që i shqetëson më tepër është shtesa e një neni në ligjin "Për procedurat tatimore" sipas të cilës, "tatimori ka të drejtë të sekuestrojë të gjithë materialin, data-basen në kompjuter dhe gjithçka që mban zyra në formë dokumenti".

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›