E Diel, 1 Nëntor 2026

Partia Socialiste i kërkon Presidentit të mos i dekretojë ndryshimet në ligjin e tokave

Partia Socialiste i ka kërkuar Presidentit të Republikës të mos dekretojë ligjin e miratuar pak ditë më parë nga Kuvendi “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”. Duke e cilësuar këtë ligj antikushtetues, deputeti i PS-së, Fatmir Toçi, bën të ditur se ky ligj do të sjellë konflikt social në vend. Ligji që kundërshtohet nga socialistët parashikon që familjet dhe individët që kanë në përdorim toka bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore brenda vijave të verdha urbane dhe rurale, apo në zonat me përparësi zhvillimi të turizmit do të duhet të heqin dorë prej tyre kundrejt një kompensimi që do t’u bëhet me një sipërfaqe simbolike trualli. Për shembull,
banorët e zonave të Orikumit, Ksamilit, Borshit apo të zonave të tjera që kanë marrë sipërfaqe në përdorim deri në 1500 m2, do t’u merret duke i kompensuar në tokë me një sipërfaqe 300 deri në 750 m2. Sipas deputetit socialist Toçi, “ky është një ligj që jo vetëm do të rrisë konfliktin social në vend, mes atyre që do t’u merret toka me ata të tjerët që do t’u jepet, por vetë personat e rrezikuar nga ky ‘shtetëzim’ modern kanë kërcënuar se nuk e lëshojnë tokën e tyre. Konstatojmë se përpjekja e maxhorancës për zgjidhjen e problemit të pronësisë mbi tokën me anë të këtyre ndryshimeve në ligj e acaron më tepër problemin dhe e ka rritur revoltën e banorëve, kryesisht atyre që jetojnë në vijën bregdetare, të cilët presin zgjidhjen ligjore të problemit, dhe jo marifete të reja të kësaj qeverie për grabitjen e tokave që ata kanë në përdorim që prej 18 vjetësh”, - është shprehur deputetit socialist. Sipas PS-së, ndryshimet e parashikuara nuk sjellin zgjidhjen e problemit të pronësisë në Shqipëri, por sjellin një tjetër mashtrim për pronarët e vërtetë të tokave. “Nëse kjo qeveri po zhvesh nga të drejtat e fituara më parë këta qytetarë në emër të ish-pronarëve, ky është veçse mashtrimi i radhës, pasi ka 5 vjet që ajo as i ka kthyer pronat, dhe thjesht po bën pronarë klientët e saj dhe të familjes në pushtet. Gjithashtu, konstatojmë se këto ndryshime në ligj kanë një handikap juridik në formulimin e Nenit 3/1, gjë që u hap rrugën proceseve të pafundme të ankimimit në gjykatë, si të pronarëve, ashtu edhe atyre që i kanë në përdorim këto toka. Ky nen bie ndesh me Kushtetutën e Shqipërisë pasi kompenson me një truall në pronësi një subjekt të caktuar, edhe pse ai nuk përfshihet në kategorinë e subjekteve të shpronësuara.
Së fundi, para diskutimit dhe miratimit të këtij ligji në Kuvend, nuk janë bërë konsultimet e nevojshme me grupet e interesit, pronarët e ligjshëm, banorët që i kanë aktualisht në përdorim këto prona, por edhe me gjithë spektrin e politikës shqiptare, për një konsensus sa më të gjerë në zgjidhjen përfundimtare të këtij ngërçi gati 20-vjeçar.
I kërkojmë Presidentit të Republikës që të mos e dekretojë këtë ligj që u rrëmben tokën dhe i hedh në rrugë njerëzit në nevojë, pa u diskutuar më parë me grupet e interesit, për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare këtij problemi që ka penguar dhe bllokuar zhvillimet normale të vendit, në mënyrë të veçantë në fushën e turizmit dhe bujqësisë”, - është shprehur përfaqësuesi i Partisë Socialiste.

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›