E Diel, 1 Nëntor 2026

Në fund të janarit nis legalizimi i banesave me letrat me vlerë

ALUIZNI, në pritje të miratimit të akteve nënligjore. Drejtuesit e Agjencisë, optimistë për zgjidhjen e ngërçit
Në fund të muajit janar pritet të nisë legalizimi i banesave nëpërmjet përdorimit të letrave me vlerë, ose bonove të privatizimit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë drejtuesit e ALUIZNI-t, të cilët shprehen se Agjencia është në pritje të miratimit të akteve nënligjore që do të parashikojnë mënyrën e procedimit në rastet kur pagesa do të bëhet nëpërmjet letrave me vlerë. Megjithëse vendimi i qeverisë për të përdorur letrat me vlerë në procesin e legalizimeve ka hyrë në fuqi gati një muaj më parë, ky vendim nuk ka nisur ende të zbatohet për shkak se nuk është përcaktuar mënyra se si do të veprohet. Ndërkaq, drejtuesit e ALUIZNI-t shprehen se ky ngërç teknik do të zgjidhet shumë shpejt dhe brenda muajit janar do t’u jepet mundësia qytetarëve që do të legalizojnë objektet informale që të shlyejnë detyrimet financiare nëpërmjet përdorimit të letrave me vlerë.
Ligji
Ekspertët kanë parashikuar ndryshimin e Nenit 17 të ligjit të legalizimeve, që parashikonte shlyerjen e detyrimeve financiare nëpërmjet pagesës monetare. Ndryshimet përfshijnë mundësinë e shlyerjes së detyrimit edhe nëpërmjet letrave me vlerë ose bonove të privatizimit. “Pagesa për legalizimin e ndërtimeve pa leje bëhet: në lekë, në vlerë të plotë monetare të pasurisë; me bono privatizimi. Bonot e privatizimit, për legalizimin e ndërtimeve pa leje mund të përdoren nga disponuesit që janë në proces legalizimi. Bonot e privatizimit të përfituara nga ish-të përndjekurit politikë dhe nga subjektet e tjera gjatë procesit të privatizimit të pronës shtetërore kanë të njëjtin trajtim me bonot e tjera të privatizimit. Taksat, tatimet dhe detyrimet e tjera financiare që lidhen me kalimin e të drejtës së pronësisë bëhen vetëm në lekë”, - shkruhet në shtesën e Nenit 17, që i është bërë ligjit të legalizimeve. Në ligj është parashikuar që të ardhurat që arkëtohen nga procesi i legalizimit të shkojnë për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe të përdoren për kompensimin financiar të ish-pronarëve. “Të ardhurat e arkëtuara nga procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje transferohen në buxhetin e shtetit për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si fond kompensimi financiar”, - shkruhet në ligj. Ndërsa përsa u përket personave që kanë kryer pagesat për legalizimin e ndërtimeve përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, në ndryshimet e miratuara është parashikuar që këta persona do të përfitojnë lehtësira të ndryshme. “Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur të detyrimit apo për rikthimin e shumave të paguara në lekë, në këmbim të dorëzimit të bonove të privatizimit, personat duhet të paraqesin kërkesë, me shkrim pranë ALUIZNI-it brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, - shkruhet në ndryshimet e ligjit të legalizimeve.
Skema e pagesës
Ligji parashikon dy elemente të rëndësishme përsa i përket shlyerjes së detyrimit financiar nëpërmjet përdorimit të bonove të privatizimit. Elementi i parë parashikon rastin kur parcela ndërtimore ka për funksion banimin. Në këto raste poseduesi i objektit informal mund të shlyejë 80% të detyrimit financiar duke përdorur bonot e privatizimit ose letrat me vlerë. Në rastet kur parcela ndërtimore ka funksion social ekonomik, poseduesi ka mundësi që nëpërmjet skemë së re financiare të paguajë detyrimin financiar duke përdorur letrat me vlerë për 50% të vlerës. Përsa u përket shtesave në pallate, në këtë ligj parashikohen dy raste. Në rastet kur shtesa është bërë në pallatet e vjetra të para vitit 1993 dhe kur shtesa përdoret për banim, qytetari shlyen 80% të vlerës financiare me bono privatizimi. Në rastet kur shtesa është bërë në katet e para, atëherë poseduesi paguan 50% të detyrimit financiar, por vetëm për pjesën takuese, pra pjesa takuese është vetëm pjesa që i takon banorit të katit të parë. Në rast se pallati është pesëkatësh dhe pjesa që i takon atij të katit të parë është rreth 100 metra katrorë, atëherë ai do të paguajë vetëm 1/5 e sipërfaqes. Ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga banorët e tjerë të pallatit. Nga ky ligj nuk mund të përfitojnë pallatet e reja që kanë bërë shtesa përtej lejes së ndërtimit. Kjo kategori nuk përfiton për shkak se kanë detyrimin për të paguar taksa që më pas i shkojnë pushtetit vendor, siç është taksa e ndikimit në infrastrukturë për të cilën nuk mund të përdorin letrat me vlerë, por shlyerja e detyrimeve duhet të bëhet me para kesh.

Skema
Parcelë ndërtimore që përdoret për banim, 80% të vlerës me letra me vlerë
Parcelë ndërtimore që përdoret për biznes, 50% të vlerës me letra me vlerë
Shtesat në pallatet e vjetra që përdoren për banim, 80% të vlerës me letra me vlerë
Shtesat në pallatet e vjetra që përdoren për biznes, 50% të vlerës me letra me vlerë
Shtesat në pallatet e reja shlyhen vetëm me para kesh dhe nuk përfshihen në skemë

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›