E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, gati vendimin për rritjen e pagave të komandove shqiptarë

Qeveria shqiptare do të rrisë pagat dhe shpërblimet për misionet paqeruajtëse shqiptare nëpër botë. Një fakt i tillë është konfirmuar nga burimet zyrtare në Regjimentin e Forcave Komando në Zall-Herr. Një prej drejtuesve të këtij regjimenti pohoi për “Albania”-n se qeveria ka përgatitur draftin dhe në fillimin e vitit që po vjen do të kalojë vendimin për trajtimin financiar të trupave paqeruajtëse shqiptare në misionet jashtë vendit. Duke parë edhe mundësitë financiare të buxhetit të shtetit, por edhe praktikat e trajtimit të paqeruajtësve të vendeve të tjera, pritet të ketë një rritje të ndjeshme të pagave. Aktualisht, rrogat e komandove shqiptarë janë më të ulëtat krahasuar me të gjitha vendet anëtare të NATO-s.
Rritja
Të vritesh në frontin e luftës për pak dollarë, shumë të cilën mund ta marrin në një punë mëse të zakonshme edhe në vendin e tyre. Ky është fati i keq i qindra paqeruajtësve shqiptarë në Afganistan apo Çad. Krejt ndryshe nga bashkëluftëtarët e tyre, komandot shqiptarë janë ndër më të keqtrajtuarit. Kjo ka qenë arsyeja që nxiti Ministrinë e Mbrojtjes, por edhe vetë forcat tona paqeruajtëse që të kërkojnë përmirësimin e kushteve dhe të shpërblimeve. Një nga drejtuesit e Regjimentit të Forcave Komando në Zall-Herr thotë se prej tre muajsh kanë nisur negociatat me qeverinë shqiptare. Ministria e Mbrojtjes ka përgatitur disa propozime konkrete. Më datë 17 dhjetor, një ekip i Ministrisë së Mbrojtjes, ku kishte edhe përfaqësues të repartit elitë të Ushtrisë shqiptare në Zall-Herr, kanë zhvilluar një takim me Komisionin Parlamentar të Rendit dhe Sigurisë. Në bisedimet e zhvilluara me deputetët është kërkuar ndërhyrja me urgjencë e sistemit të pagave për forcat ushtarake shqiptare që shërbejnë në zonat e konfliktit. Burime për gazetën pohojnë se brenda muajit janar në vitit të ardhshëm qeveria do të përgatisë draftin, ku do të ketë rritje të ndjeshme të trajtimit financiar.
Situata
Mënyra e trajtimit nga ana e shtetit është bërë shpeshherë burim pakënaqësish dhe revolte nga ana e komandove shqiptarë në Afganistan. Mediat kanë bërë të ditur se ushtarakët shqiptarë me mision në Herati kanë bërë një peticion drejtuar qeverisë shqiptare. “Na rrisni pagesat nga 54 USD në 80 USD në ditë, në të kundërt, na ktheni në Shqipëri”. Ky ka qenë mesazhi që paqeruajtësit tanë i kanë dërguar ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Ushtarët shqiptarë në Afganistan duken të vendosur në vendimin e tyre për të kërkuar kthimin në atdhe nëse nuk trajtohen financiarisht për shërbimin që kryejnë në të vërtetë në Afganistan. “Të rrezikosh jetën në dhè të huaj për: 54 dollarë, molto dhe qumësht me disa lloje çokollatash në mëngjes, një pjatë makarona në drekë dhe prapë makarona e mish pule në darkë”. Kjo është dieta ditore për një ushtar të Regjimentit të Trupave Komando në Herat. Norma ushqimore është shumë herë më e ulët edhe se norma ushqimore me të cilën ata trajtohen nga Forcat e Armatosura në Regjimentin e tyre në Zall-Herr. Shqetësimi bëhet akoma më i madh kur në bisedat e tyre me ushtarët e kontingjentit italian, përkrah të cilëve ata bëjnë shërbime, mësojnë se trajtimi është 180 euro në ditë dhe 20 euro të tjera plus për shpenzime ditore.
Dy muaj më parë ushtarët e Regjimentit të Trupave Komando protestuan për kushtet e akomodimit të tyre në çadra aspak të përshtatshme, ku u vërejtën edhe raste të gripit të derrit (A/H1N1). Mediatizimi i çështjes solli interesimin direkt të ministrit të Mbrojtjes në atë kohë, Gazmend Oketa, dhe akomodimin e trupave të Ushtrisë shqiptare në disa kontejnerë të përshtatur në kapanonë, sikurse edhe trupat e tjera ushtarake në bazë.

Plagoset komandoja shqiptar në Afganistan

Plagoset në Afganistan ushtari i Regjimentit të Trupave Komando, pjesë e “Electoral Contigent” të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Besmir Sadikaj nga Tropoja është transportuar me urgjencë në spitalin spanjoll të Bazës së Heratit, nga baza e Shinad, rreth orës 14:00 (me orën lokale në Tiranë). Lajmi u dha nga një gazetën e përditshme shqiptare ditën e djeshme, e cila citon burime pranë familjarëve të kontingjentit të ushtarëve shqiptarë në Afganistan. Të njëjtat burime shprehen se i plagosuri është mbajtur i izoluar dhe të paktën deri në orën 21:00 të mbrëmjes së datës 25 dhjetor nuk ishte lejuar asnjë pjesëtar nga kontingjenti shqiptar që ndodhet në bazën e Heratit, ku është spitali, që ta vizitojnë. Sadikaj ka plagë me armë zjarri në dorë dhe mësohet se ndodhet plotësisht jashtë rrezikut për jetën. Familjarët e ushtarëve shqiptarë që ndodhen në Herat janë shprehur se në bisedat që kanë pasur me ta kanë mësuar se askush nuk u ka bërë të ditur nëse është një ngjarje aksidentale, apo ushtari shqiptar i plagosur është sulmuar nga talebanët.

MISIONET PAQERUAJTËSE

Afganistan
251, numri i ushtarakëve dhe personelit civil në misionin paqeruajtës në Herat dhe Kabul. Së shpejti pritet të rritet kontingjenti. Qeveria do të dërgojë edhe ekip shtesë me civilë

ÇAD
63, numri i ushtarakëve shqiptarë në këtë mision, i organizuar nga Kombet e Bashkuara dhe ???????????????????qe forcat paqeruajtëse drejtohet nga ushtarakë francezë

Bosnjë dhe Hercegovinë
70, numri i ushtarakëve në këtë mision. Deri tani janë dërguar 15 misione. Ky është misioni i parë paqeruajtës i Ushtrisë shqiptare jashtë vendit

Gjeorgji
3, numri i ushtarakëve me mision në Gjeorgji. Ata janë majorë dhe janë pjesë e misionit të OKB-së prej 136 vetash

Irak
218, numri i ushtarakëve në misionin, i cili përfundoi më 19 dhjetor 2008. Në këtë zonë konflikti kanë shkuar disa misione me ushtarakë shqiptarë

TOTALI
1920, numri i përgjithshëm i ushtarakëve në të gjitha misionet paqeruajtëse në vatrat e ndryshme të konfliktit

Vendimi, përmirësohet trajtimi i ushtarakëve shqiptarë në NATO

Anëtarësimi i Ushtrisë shqiptare në NATO ka përcaktuar jo vetëm ndryshimet që do të pësojë struktura e saj, por edhe pagesa e ushtarakëve. Kështu, pas ndryshimit që do të pësojë ligji, Ushtria shqiptare do të jetë më e vogël në numër, e trajnuar mirë, e lëvizshme dhe vitale. Janë përcaktuar dhe funksionet për më shumë se 3600 ushtarakët e parë që do të preken nga konvertimi i pagesave sipas ushtarakëve të NATO-s. Ndërsa përsa i përket pagesës së ushtarakëve, majori, nënkoloneli, koloneli, me daljen në reformë, duhet të paguhen sipas kontributit të dhënë. Përveç pagës bazë, ushtarakët në NATO dhe në misionet e tjera trajtohen edhe me pagë për gradë dhe shtesë për përfaqësimin e tyre. Për herë të parë pagat e këtyre ushtarakëve jepen në valutë. Pagesat për ushtarakët që shërbejnë në vendet e Europës bëhen në euro, ndërsa për vendet e tjera në dollarë (USD). Gjithashtu, parashikohet që paga e atasheve ushtarakë t’i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat personale, sipas legjislacionit në fuqi. Nga ana tjetër, kjo pagë mujore i nënshtrohet rishikimit në të njëjtën formë, si të gjitha kategoritë e tjera të pagave në vend. Por, përveç kësaj page, atashetë ushtarakë përfitojnë edhe kompensim për koston e jetesës, duke nisur nga 300 USD në muaj për vendet e grupit të parë deri në 150 USD në muaj për vendet e grupit të pestë. Fondet për pagesat e atasheve ushtarakë do të përballohen me fondet e Ministrisë së Mbrojtjes, pasi shteti shqiptar duhet t’u krijojë kushte sa më dinjitoze ushtarakëve shqiptarë për përmbushjen e detyrave të tyre jashtë vendit.

28 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›