Festat, drejt dështimit faljet e fundvitit
• Vakumi i krijuar në strukturat drejtuese të burgjeve bëhet shkak që këtë fund viti dhjetëra të burgosur që ndodhen në fund të dënimit të mos përfitojnë falje nga Presidenti i Shqipërisë.Trazhgim SokolajDrejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe institucioni i Kreut të Shtetit patën krijuar një traditë vitet e fundit për faljen e një kategorie të reduktuar personash me rastin e festave të fundvitit. Burime zyrtare nga Ministria e Drejtësisë, e cila sipas ligjit duhet të marrë pjesë në procedurën e faljes, konfirmuan, se deri ditën e djeshme në orën 16:00, në këtë institucion nuk ka asnjë informacion për falje të dënuarish me rastin e festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. I njëjti konfirmim në rrugë zyrtare u artikulua edhe nga zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ata thanë se deri më tani nuk është hartuar asnjë listë personash që kanë kërkuar falje apo që mund të përfitojnë një gjë të tillë. E gjithë kjo situatë duket, se është si pasojë e vakumit të krijuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Ish-kreu i këtij institucioni Sajmir Shehri dha dorëheqjen nga detyra pas konfliktit me ish-ministrin e Drejtësisë, ndërsa funksioni i kryegardianit ka mbetur vakant. Kompetencat e kreut të burgjeve aktualisht mbulohen nga njëri prej zv/drejtorëve të Përgjithshëm. Kaos për lejetMinistria e Drejtësisë ishte e prerë në qëndrimin e saj duke thënë se në këtë institucion nuk ka mbërritur asnjë listë me emrat e personave që mund të përfitojnë faljen. Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohon, se në këtë institucion deri më tani nuk është depozituar ndonjë kërkesë nga të dënuarit. Sipas zyrtarëve të Burgjeve, nga ana e këtij institucioni nuk ka asnjë iniciativë për të hartuar ndonjë listë me personat që mund të falen. Ky qëndrim i burgjeve bazohet në kufizimin e kompetencave ligjore të institucionit, ndërsa zyrtarët thonë se mundësinë për iniciativë në këtë rast e ka Presidenti i Republikës. Nëse të dënuarit i kanë drejtuar atij kërkesë për falje dhe plotësojnë kushtet ligjore për të lënë qelinë dhe nëse kreu i shtetit e dekreton një gjë të tillë burgjet thanë, se janë të detyruara ta zbatojnë atë. Sipas traditës institucionale të krijuar vitet e fundit, por edhe sipas përcaktimeve ligjore, falja është përfituar nga ata persona që janë akuzuar për vepra të lehta penale dhe që kanë depozituar kërkesë pranë Presidentit apo Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Vitet e kaluara, përfitues kanë qenë ata që, përveç kushteve të mësipërme plotësonin edhe karakteristikën e sjelljes së mirë në burg gjatë kryerjes së dënimit. Dekretimi i faljeve nga kreu i shtetit është cilësuar si një praktikë e cila ndikonte edhe në uljen e mbipopullimit në burgjeve. Procedurat e faljesProcedurat e faljes parashikojnë fillimisht depozitimin e një kërkese nga i interesuari. Më pas, gjithë emrat kërkues hidhen në një listë e cila i çohet për dijeni, Ministrisë së Drejtësisë dhe për verifikim, Drejtorisë së Burgjeve. Pas verifikimit të akuzës, kohës së mbetur të dënimit dhe sjelljes, burgjet çojnë informacionin në Presidencë, ku merret vendimi. Afati i vendimitDuket se ka kaluar afati i marrjes së një vendimi, lidhur me lirimet e parakohshme nga burgjet, me rastin e festave të fundvitit. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve nuk ka filluar asnjë verifikim ndërsa vitet e kaluara listat e atyre që përfitonin faljen janë bërë publike të paktën dy ditë para datës 25 dhjetor. Mësohet se disa të burgosur mbarojnë dënimin pak ditë pas festave.