E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Ekspertizë psikike Hutrës, vrasësi i të fejuarës

• TIRANE – Prokuroria e Tiranës kërkon ekspertimin e gjendjes mendore të 25-vjeçarit, Dan Hutra i akuzuar për vrasjen e të fejuarës së tij.Kërkesa e organit të akuzës sipas burimeve nga hetimi, është depozituar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Një komision specialistësh nga ky institucion pritet të verifikojë gjendjen mendore të Dan Hutrës dhe më pas, raportin përfundimtar ta paraqesë në Prokurorinë e kryeqytetit. Kërkesa për ekspertimin e gjendjes mendore të Dan Hutrës është bërë pas deklarimeve kontradiktore që ai ka dhënë në polici pas arrestimit me akuzën e vrasjes së Dafina Havalajt, vajzës 22 vjeçe nga Burreli me të cilën ekzekutori bashkëjetonte prej tetë-muajsh. Prokuroria e kryeqytetit dorëzoi dje në Gjykatën e Tiranës edhe kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Dan Hutrës. Sipas burimeve hetimore mësohet, se prokurorja e çështjes ka kërkuar nga togat e zeza mbajtjen në gjendje arresti pa afat të 25-vjeçarit. Një javë më parë, Dan Hutra qëlloi dy herë me thikë Dafina Havalajn në një banesë ku çifti jetonte me qira, pranë Fushës së Aviacionit në Tiranë. Autori i krimit u arratis për katër ditë ndërsa ra në pranga pas një aksioni të zhvilluar në vendlindjen e tij në Kukës, ku Dan Hutra strehohej pasi kishte vrarë të fejuarën. I arrestuari është dënuar për përdhunimin e kunatës së tij në vitin 2003. Për këtë ngjarje gjykata e fajësoi Dan Hutrën vetëm për heqje të paligjshme të lirisë, ndërsa e shfajësoi atë për përdhunimin e kunatës, të cilën e kishte rrëmbyer me forcë nga shtëpia deri në afërsi të Bregut të Lumit, ku kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›