Festat e Fundvitit: Fluks emigrantësh në doganën e Kapshticës, pala shqiptare i kërkon palës greke shtimin e sporteleve

Shtohet fluksi i emigrantëve që kthehen në vendet ku punojnë e jetojnë, nga pika kufitare e Kapshticës. Në orët e paradites situata u paraqit e qetë ndërsa rreth mesditës vargu i makinave në radhë, arriti në disa kilometra. Aktualisht mësohet se pala shqiptare po punon me 5 sportele, po ashtu edhe pala greke. Autoritetet kanë kërkuar shtim të sporteleve në anën greke, pasi vërehen vonesa të cilat kanë shkaktuar radhë të gjata. Në 24 orët e fundit, nga pika kufitare e Kapshticës kanë kaluar kufirin 5800 persona. Ndërkohë edhe në pikën kufitare të Kakavijës ka nisur fluksi i emigrantëve që nisen drejt shtetit grek. Gjatë 24 orëve të fundit nga kjo pikë kufitare kanë kaluar kufirin 5450 shtetas dhe 2520 automjete. Burime nga pika kufitare e Kakavijës bëjnë të ditur se pala shqiptare ka aktivizuar, që prej fillimit të festave, kapacitetin e plotë të sportele, 5 të tilla në hyrje dhe 5 në dalje, ndërsa pala greke ka punuar vetëm me 2 sportele.
...