E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festat e Nëntori, aktivitete në rrethe

TIRANE-Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë është përkujtuar sot me aktivitete të ndryshme në shumë rrethe të vendit. Në disa qytete janë organizuar një sërë veprimtarish në kuadrin e festave të nëntorit, Dita e Shpalljes së Pavarësisë, 28 Nëntori dhe dhe 29 Nëntori, Dita e Clirimit të vendit.
Shkodër
Festa e Pavarësisë Kombëtare eshte perkujtuar sot në qytetin e Shkodrës me një sërë aktivitetesh të organizuara nga bashkia dhe strukturat e tjera vendore të qarkut. Ato kanë filluar me një ceremoni të organizuar në sheshin “Nënë Tereza” në qëndër të qytetit të Shkodrës, ku nën tingujt e bandës së qytetit, drejtuesit më të lartë të qeverisjes vendore, përfaqësuesit e strukturave ushtarake të qarkut, konsulli italian në Shkodër, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, shoqatës së veteranëve të luftës etj, përcollën me emocione ngritjen e flamurit kombetar, ndërkohë që më pas vijuan duke zhvilluar homazhe dhe vendosur kurora me lule pranë bustit të patriotit Luigj Gurakuqi. Në vazhdim, autoritetet vendore kanë bërë homazhe pranë varrezave të Rrmajit, ay ku prehen eshtrat e shumë intelektualëve dhe patriotëve të pushkatuar nga diktatura komuniste, si dhe të varrezave të dëshmorëve.
Pjesë e veprimtarive është edhe një koncert festiv që do të jepet në sheshin qëndror të qytetit nga bashkia e Shkodrës, si dhe hapja e një ekspozite kushtuar festave të nëntorit.
Elbasan
97-vjetori i shpalljes së pavarësisë kombetare është festuar edhe në qytetin e Elbasanit. Nënkryetari i parlamentit si dhe deputet i PD në Elbasan, Ardian Turku, përfaqësues të pushtetit lokal, kanë vendosur kurora me lule në bustin e Aqif Pashë Biçakçiut, i cili ngriti i pari në Elbasan flamurin e pavarësisë.
Prefekti i Qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, tha se "sot të gjithë shqiptarët festojnë një ditë të madhe për kombin tonë, 97 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë. Më 28 Nëntor të vitit 1912 populli shqiptar, i tregoi gjithë botës se Shqipëria nuk mund të shuhet, se Shqipëria është një nga popujt më të vjetër në Europë, se Shqipëria dhe shqiptarët do të ekzistojnë në jetë të jetëve”. /M. Sadiku/
Kukës
“Sot po nderojmë të parët tanë për sakrificat e bëra në shekuj për pavarësinë e shtetit shqiptar. Përshëndesim në këtë ditë edhe gjithë veteranët e familjet e atyre ndaj të cilëve përulemi me respekt për gjithcka kanë bërë që sot Shqpëria të jetë anëtare e NATO-s dhe ka aplikuar për kandidate mes vendeve të BE-së”. Keshtu u shpreh prefekti i Kukësit, Elez Maci, në takimin e organizuar sot në mesditë në sallën kryesore të pallatit të kulturës "Hasan Prishtina" të qytetit të Kukësit.
Gjatë ditës së sotme në qytetin e Kukësit janë organizuar një sërë veprimtarish në kuadrin e festave të nëntorit. Në orët e paradites qindra banorë kanë organizuar manifestimin e madh në nderim të rrugës që çoi në pavarësinë e shtetit shqiptar. Po ashtu, drejtuesit e pushtetit vendor dhe pjestarë të familjeve të dëshmorëve kanë vendosur kurora me lule e kanë bërë homazhe në nderim të të gjithë atyre që dhanë jetën për pavarësinë e shtetit shqiptar, mes të cilëve edhe të patriotit të madh Hasan Prishtina.
Fier-Ballsh
Institucioni i prefekturës se Fierit dhe Këshilli i Qarkut kanë perkujtuar në mesditën e sotme Festën e Pavarësisë dhe të Çlirimit te vendit me nje ceremoni per ngritjen e flamurit.
"Pavarësia e vendit dhe dita e Çlirimit janë dy festa të pandara nga njëra tjetra. Pa pavarësi nuk mund të vinte çlirimi dhe pa çlirimin e vëndit nuk mund të gëzonim lirinë dhe demokracinë që ne përjetojmë sot", tha kryetari i Qarkut, Luan Mucaj.
Ballshi, qëndra administrative e Mallakastrës, festoi sot ditën e shpalljes së pavarësisë dhe çlirimit te vendit.
Kryetari i Bashkisë, Naim Begaj dhe personalitete të politikës lokale, të shoqërisë civile dhe shoqatave të ndryshme, festuan së bashku. Më pas, ceremonia festive vazhdoi në ambjentet e pallatit të kulturës të qytetit, ku kreu i bashkisë ne fjalen e tij theksoi se “Dita e shpalljes së pavarësisë dhe e çlirimit te vendit do të qëndrojnë në historinë e vjetër e të re si dy shtylla të celikta, që do të mbeten përherë të freskëta në memorjen kombëtarë".
Partia per Drejtesi dhe Unitet aktivitete në qytete
Partia Drejtësi dhe Unitet dhe Klubi i Patriotëve të rinj, prej mëngjesit të sotëm ka organizuar gjatë gjithë ditës një aktivitet te madh në qytetet kryesore të vendit dhe në Prishtinë. Aktiviteti synon që të risë ndërgjegjësimin e qytetarëve ndaj Festës së Flamurit. Për këtë arsye, të rinjtë e Klubit të Patriotëve të Rinj, kane shpërndarë në Tiranë dhe në pika të tjera të përzgjedhura në qytetet kryesore të vendit dhe në Prishtinë, flamuj falas, si edhe materiale të tjera me karakter kombëtar. Nderkohe, ne mbremje do organizohet një aktivitet masiv kulturor me karakter kombëtar.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›