E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha vizita në familjet e të rënëve

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha, në vijim të nderimeve për të rënët e kombit në ditën e 28 nëntorit, zhvilloi sot vizita në familjen e Heroit të Kombit, Myslym Shyri dhe të Dëshmorëve të Atdheut, Dionis dhe Kleanthi Manastirliu.

Sipas zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë, Kreu i Qeverisë nderoi veprën e pavdekshme të Komisarit të Batalionit të dytë, Heroit të Popullit Myslym Shyri.
"Ai ishte një nga luftëtarët më trima në luftën çlirimtare të kombit shqiptar, i cili ju jep nder familjes së tij, Tiranës dhe çdo shqiptari, me veprën dhe sakrificën e tij sublime", tha Kryeministri Berisha gjatë një vizite në familjen Shyri.Ndërsa gjatë vizitës në familjen Manastirliu, Kryeministri vlerësoi kontributin e madh të kësaj familjeje në luftën çlirimtare, me angazhimin e të gjithë anëtarëve të saj, nga ku dy prej tyre, Dionisi dhe Kleanti, ranë në këtë luftë në vitin 1944, duke u shpallur Dëshmorë të Atdheut.

"Sakrifica e bijve të familjes Manastirliu do të ndrisë gjithmonë, ideali i lirisë për të cilin ata sakrifikuan, sot është në ndërtim e sipër më shpejt se kurrë". "Ne jemi krenar me ju dhe ndihemi shumë të obliguar që të mund të shndërrojmë plotësisht në realitet idealin e tyre. Familja juaj ka një sakrificë të madhe në themelin e lirisë dhe dinjitetit të kombit, ndaj ata do të jenë gjithmonë të nderuar", tha Kryeministri Berisha. 
(e.n/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›