Festat e fundvitit, Bashkia e Tiranës vazhdon monitorimin e tregjeve
Task-Forca e Bashkisë së Tiranës vazhdon të monitorojë tregjet e kryeqytetit në rast abuzimesh me çmimet. Ajo ka vijuar punën që në orët e para të mëngjesit të djeshëm me monitorimin e çmimeve në tri tregjet kryesore të qytetit. Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Drejtoria e Tatim-Taksave e Bashkisë së Tiranës, Policia Bashkiake e mbështetur dhe nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve, kanë vëzhguar edhe dje nga afër çmimet e produkteve të shportës dhe atyre të fruta-perimeve me qëllim parandalimin e abuzimit me to. Bashkia e Tiranës do të vijojë çdo ditë aksionin e saj në bashkëpunim me biznesin, Drejtorinë e Tatim-taksave dhe Drejtorinë e Doganave, për t’i prerë rrugën çdo abuzimi me çmimin. Bashkia e Tiranës e ka bërë të qartë vazhdimisht se në asnjë rast nuk do të cenojë rregullat e tregut, por është e vendosur të mbrojë konsumatorët nga abuzimi. Për çdo rast abuzimi me çmimet, Bashkia e Tiranës do të bëjë publikë në media emrat e subjekteve dhe drejtuesve të tyre.