E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imobiliaret, hipotekimi do të çlirojë tregun

Agjentët imobiliarë në kryeqytet u shprehën dje për MAPO-n, se procesi i saponisur i hipotekimit të pallateve në Tiranë do të çlirojë tregun e ndërtimit. Ndërkaq, aktualisht, mungesa e hipotekimit të pallateve dhe kriza ekonomike kanë krijuar një ngërç të tejskajshëm në sektorin e shit-blerjeve të banesave në metropol. Agjencitë imobiliare në kryeqytet raportojnë për një gjendje stanjacioni në tregun e ndërtimit. Sipas tyre, kriza financiare globale ka ndikuar në uljen e besimit të konsumatorit e për rrjedhojë, mungesa e hipotekës së pallateve të reja është një faktor negativ shtesë që qytetarët të mos blejnë pasuri të patundshme. Sipas agjentëve imobiliarë, shit-blerja masive sa vjen e bie çdo vit, pavarësisht se çmimet e banesave janë në të njëjtin nivel, ose më pak të ulura deri në 5%. Aktualisht, raportojnë agjentët imobiliarë, tregu i ndërtimit mbahet vetëm me dy kategori klientësh: ata që bëjnë blerje luksi, pra apartamente të mëdha ose vila, dhe ata që blejnë nga nevoja deri në 60 metër katror. Ata thonë se tregu imobiliar i shitjes po vazhdon të përjetojë krizë. Shitjet e apartamenteve dhe trojeve kanë rënë në masën 25 %, krahasuar me një vit më parë, dhe 50 %, krahasuar me vitin 2008, kur u ndjenë hapat e parë të krizës. Sipas agjentëve imobiliarë në Tiranë, mungesa e hipotekës dhe kriza ekonomike janë arsyet e rënies së shitjeve të apartamenteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›