E Diel, 1 Nëntor 2026

Festat ndërpresin grevën, banorët japin afat deri më 4 janar

Dalin nga ngujimi 15 banorët e pallatit të shembur në Gjirokastër. Prefekti dhe kryebashkiaku premtojnë zgjidhjen e problemit

GJIROKASTËR – Kur kanë mbetur edhe pak ditë për të ardhur festat e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, 15 banorët e pallatit të shembur në Gjirokastër kanë ndërprerë grevën, duke u dhënë afat autoriteteve vendore dhe qendrore deri më 4 janar të vitit 2009 për të zgjidhur kërkesat e tyre. Burimet zyrtare pohojnë se grevistët kanë lënë rrënojat dhe janë kthyer në banesat e ofruara përkohësisht pas tetë ditësh greve. Grevistët kanë dalë në një protestë të lajmëruar që më parë, për të bërë publike e me zë kërkesat e tyre. Pas tubimit, ata kanë deklaruar se dalin nga greva për t’iu bashkuar familjeve të tyre në këtë pragfestash të fundvitit.
Afati
“Dalja nga greva nuk do të thotë se ne tërhiqemi nga kërkesat tona. Ne do të festojmë me familjet për festa dhe do të presim për realizimin e kërkesave deri më datën 4 janar të vitit 2009. Nëse deri atëherë asgjë nuk ka ndryshuar, do t’i rikthehemi grevës së urisë”, - kanë thënë dje banorët grevistë. Mëngjesin e djeshëm pranë tyre kanë shkuar edhe drejtuesit lokalë, prefekti Spiro Ksera, si dhe kryetari i Bashkisë, Flamur Bime. Ata u kanë premtuar banorëve se kanë bërë marrëveshje me firmat e ndërtimit për t’u siguruar banorëve apartamente. Sipas vendorëve, lekët që ka dhënë qeveria si dëmshpërblim pas tragjedisë banorët le t’i përdorin për orendi.
Greva
Rreth 15 familje humbën banesat e tyre gjatë shembjes së një pallati në Gjirokastër më 9 nëntor të këtij viti, ku humbën jetën 3 persona dhe u plagosën 3 të tjerë. Shkak u bënë punimet e firmës “Arti Sh.p.k”, të cilët po gërmonin për ndërtimin e një pallati të ri, fare pranë pallatit 5-katësh. Kjo solli shembjen e ndërtesës, e cila u shoqërua me viktima. Policia arrestoi 10 persona dhe gjykata dha masën e arrestit me burg për 8 prej tyre, ndërsa dy të tjerët po hetohen në gjendje të lirë. Mes të arrestuarve dhe personave të vënë nën hetim janë dy pronarët e kompanisë së ndërtimit, zyrtarë të Bashkisë së Gjirokastrës, Inspektoratit dhe Këshillit të Rregullimit të Territorit, si dhe punonjës të firmës së ndërtimit. Qeveria dhe Bashkia e Gjirokastrës dhanë fonde për dëmshpërblim, të cilat ishin të pamjaftueshme për të blerë shtëpitë e reja, gjë që i detyroi banorët për të hyrë në grevë urie ditë më parë. Presidenti Topi kërkoi nga autoritetet vendore dhe qendrore që t’i dëmshpërblejnë këta familjarë. Tashmë “surpriza” ka mbetur pas natës së Vitit të Ri, pasi ata shpresojnë që 2009-a t’u kthejë atë që iu shkatërrua padrejtësisht në vitin 2008.

Energjia shkrumbon shtëpinë në Leskovik

LESKOVIK – Një familje në qytetin e Leskovikut është zgjuar mëngjesin e djeshëm e pastrehë, pasi një shkëndijë elektrike ia dogji banesën. Burimet zyrtare në Policinë e Qarkut të Korçës raportojnë se ngjarja ndodhi gjatë natës duke gdhirë dita e djeshme, në banesën e Edmond Çulanit. Në vendngjarje kanë shkuar forca të Repartit për Mbrojtjen kundër Zjarrit, por çdo përpjekje mjaftoi vetëm për të lokalizuar flakët me qëllim mospërhapjen te banesat e tjera. Hetimet e para sjellin si shkak të zjarrit energjinë elektrike dhe rrjetin e vjetër të instalimeve elektrike në banesë. KESH-i, sikundër në të gjitha rastet e tjera, nuk e ka mbajtur as këtë herë përgjegjësinë duke përjashtuar mundësinë e zhdëmtimit.

23 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›