Vidhet Klinika e Specialiteteve, pak metra larg policisë
ELBASAN - Persona të paidentifikuar kanë grabitur një shumë parash në Klinikën e Specialiteteve. Burimet zyrtare në Policinë e Elbasanit pohojnë se ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kur Klinika e Specialiteteve në Elbasan është grabitur.
Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë nga dritarja e katit të dytë të godinës dhe kanë grabitur zyrat e këtij institucioni. Sipas burimeve zyrtare të policisë, autorët kanë vjedhur aparatin okulistik dhe një shumë parash nga arka. Lajmin për grabitjen e Klinikës së Specialiteteve në Elbasan e ka dhënë roja i natës, i cili ka njoftuar menjëherë policinë. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes.
Klinika e Specialiteteve ndodhet në qendër të qytetit të Elbasanit, pranë Drejtorisë së Policisë së Elbasanit.
Pengmarrje në maj, dy persona në pranga
TIRANË - Të kërkuar për një pengmarrje të ndodhur në maj të këtij viti, dy të rinj janë vënë në pranga gjatë mbrëmjes së dy ditëve më parë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se specialistët e Sektorit të Operacioneve Speciale, në bashkëpunim me forcat e Komisariatit të Policisë Nr. 4, kryen ndalimin e dy të shpallurve në kërkim: Gentian Bashkim Luga, 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Bilbil Mehmet Krasniqi, 32 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre mësohet të jetë bërë në bazë të urdhrit të prokurorisë së kryeqytetit për ekzekutimin e vendimit penal të datës 29 maj 2008, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “heqje e paligjshme e lirisë”. Hetimet tani i ka marrë në dorë institucioni i akuzës.
23 Dhjetor 2008