E Diel, 1 Nëntor 2026

Festat, tregtarët rrisin importet

Festat e fundit të vitit dhe rënia e prodhimit vendas janë dy arsye të forta që tregtarët të rrisin furnizimet nga importi. Por në tregun e shitjeve me pakicë, kërkesa e konsumatorëve mbetet e ulët. Edhe pse tregjet janë të tejmbushura nuk shfaqet asnjë shenjë për uljen e çmimeve. "Qeveria duhet të ndërhyjë te referencat, që mos të ketë rritje çmimesh", thotë Niko Zherdi, kryetar i Shoqatës së Mbrojtjes së Tregut dhe Tregtarëve. Lidhur me këtë pikë, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, parashikon të zhvillojë në fillim të muajit dhjetor një mbledhje me grupet e interesit të sektorit privat, ku objekt diskutimi do të jetë niveli aktual i referencave doganore. Doganat i përdorin referencat në masën 27%, disa herë më të ulëta se katër vjet më parë, por për tregtarët vijojnë të jenë ende të larta. Ndërkaq, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Bujqësisë, në tregjet e pakicës vetëm gjatë javës së kaluar pati rritje të çmimeve për shumicën e produkteve bujqësore. Nga 19 artikuj, 12 prej tyre kanë pasur rritje çmimesh që ka variuar nga 1-30 lekë/kg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›